Gjykata e Korçës liron vëllain e deputetit Bledion Nallbati, Alti Nallbatin – Avokati: Arrestimi ishte i paligjshëm

Gjykata e Korçës ka vendosur të lirojë nga qelia Alti Nallbatin, vëllain e deputetit demokrat Bledion Nallbati, duke e lënë atë në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Ai ishte arrestuar disa ditë më parë pas një përplasjeje me një mjet të tonazhit të rëndë, ngjarje e ndodhur në zonën e rrethrrotullimit të Mirasit, në qytetin e Bilishtit.
Prokuroria e kishte akuzuar Nallbatin për veprat penale të “prishjes së qetësisë publike” dhe “pengimit të qarkullimit”, por avokati i tij, Nevzat Tarelli, deklaroi pas seancës gjyqësore se arrestimi ishte i paligjshëm dhe se nuk ekzistojnë provat për të justifikuar akuzat.
“Sapo ka mbaruar seanca. Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë për masën ‘detyrim paraqitje’, por ne kemi kërkuar lirimin e menjëhershëm të klientit tonë dhe kemi kundërshtuar ligjshmërinë e arrestimit në flagrancë. Nga pamjet filmike, që në fakt nuk janë vënë në dispozicion të plotë nga prokuroria, rezulton se nuk ka pasur asnjë pengim të qarkullimit. Qarkullimi vazhdon lirshëm në video”, deklaroi avokati Tarelli.
Sipas tij, incidenti ka qenë thjesht një konflikt verbal mes dy personave dhe nuk përmban elementët e veprave penale të pretenduara nga organi i akuzës.
“Edhe sa i përket prishjes së qetësisë publike, bëhet fjalë për një kundërvajtje penale dhe jo për një krim. Në vlerësimin tonë, nuk ekziston fakti kriminal i pretenduar,” theksoi Tarelli.
Prokuroria nuk ka reaguar ende pas vendimit të gjykatës, ndërsa çështja mbetet në hetim.