Trajneri pas eliminimit: “Dhamë gjithçka, por lodhja dhe presioni bënë të vetën”

Pas eliminimit nga “Final Four”, trajneri i ekipit është shprehur i kënaqur me përkushtimin e lojtarëve të tij, pavarësisht rezultatit. Në një prononcim pas ndeshjes, ai u shpreh se ekipi dha maksimumin dhe barazimi ishte rezultat i një ndeshjeje të luftuar deri në fund.
“Dëshira ishte e madhe. Jam i kënaqur. Ndryshe është kur humbet një ndeshje pa dhënë asgjë, por besoj se dhamë gjithçka. Egnatia vinte me një avantazh që i mjaftonte, dhe barazimi i nxirrte,” – u shpreh trajneri, duke falënderuar tifozët dhe ekipin për përkushtimin.
Ai vuri në dukje vështirësinë e të luajturit për dy rezultate dhe ndikimin e lodhjes në ecurinë e lojës.
“Deri në minutën e 25 nuk patëm ekuilibër. Më pas ndamë detyrat dhe gjetëm balanca. Gabimet erdhën nga presioni, lodhja u ndje. Kishim mundësi ta zgjidhnim me kujdes në pasimin e fundit, por unë i justifikoj.”
Megjithatë, trajneri pranoi se ekipi nuk humbi, por thjesht nuk arriti të përmbyste rezultatin.
“Nuk jam i mërzitur në atë kuptim. Mërzitem kur nuk luajmë mirë futboll. Sot dhamë gjithçka. Ëndrrat i kemi të gjithë, por ndonjëherë duhet pranuar realiteti. Uroj sukses Egnatias dhe ekipeve të tjera në Final Four.”
Për të ardhmen, trajneri premton një analizë të thellë dhe qartësi në objektivat.
“Klubi është një investim i madh. Duhet të jemi të sinqertë për pretendimet dhe ndërhyrjet që na duhen. Do të analizojmë gjithçka, edhe moshat. Sot kishim dy 17-vjeçarë në stol. Në të ardhmen do të përpiqemi të përmirësohemi në çdo aspekt.”
Duket se pas këtij eliminimi, fokusi do të zhvendoset te ndërtimi i një ekipi më të fortë dhe më të qëndrueshëm për sezonin e ardhshëm.