Berisha ironizon drejtësinë: Veshja sportive më është imponuar nga “ndryshimet klimatike” – Reagon për dënimin e gjyqtares dhe akuzon “drejtësinë Sorosiane”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit sërish sot në ambientet e SPAK-ut, ku tërhoqi vëmendjen jo vetëm për deklaratat e tij, por edhe për veshjen e pazakontë sportive.
I pyetur nga gazetarët për stilin e ri të veshjes, Berisha u përgjigj me ironi: “Tani po shkoj drejt fushatës. Me këtë ndryshimin klimatik mu imponua sportiviteti, që unë nuk është se e kam qejf, nuk e kam shumë qejf, por natyra të imponon, është forcë madhore.”
Ndërkohë, Berisha komentoi edhe çështjen e dënimit të një gjyqtareje shqiptare në Greqi, duke akuzuar organet e drejtësisë për fshehje të qëllimshme të së vërtetës: “U përpoqën ta fshehin këtë të vërtetë për të mbrojtur nderin e drejtësisë Sorosiane, por morën turpin. Do marrin turpin, për çdo fshehje që do i bëjnë krimit.”
Avokati i tij, Genc Gjokutaj, theksoi se dokumenti i përmendur në procesin gjyqësor nuk është një provë e re, por një fakt i hershëm i injoruar: “Kjo është prova që gjyqtarja ka falsifikuar edhe formularin e dekriminalizimit… Vendimi grek provon të kundërtën.”
Seanca e sotme pritet të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë për masën ndaj Berishës, ndërsa mbrojtja insiston se sistemi i drejtësisë është i politizuar dhe i njëanshëm.