Zbulim tronditës në Pompei: Gjetjet e reja ndriçojnë përpjekjen e fundit për mbijetesë në hijen e Vezuvit

Një zbulim i ri arkeologjik në Pompei ka hedhur dritë mbi momentet e fundit të një familjeje gjatë shpërthimit katastrofik të Vullkanit Vezuv më 24 gusht të vitit 79 pas Krishtit. Gjatë gërmimeve të fundit në Parkun Arkeologjik të Pompeit, studiuesit kanë zbuluar “Shtëpinë e Elës dhe Friksit”, një rezidencë e vogël, por e pasur me zbukurime, që gjendet në Via del Vezuvio – rruga e famshme që të çon drejt kraterit të dikurshëm vdekjeprurës.
Brenda kësaj shtëpie u zbuluan gjurmë të një përpjekjeje të dëshpëruar për mbijetesë: një shtrat i vendosur pas derës së dhomës së gjumit – një pengesë e improvizuar, ndoshta për të ndalur hyrjen e hirit dhe gazrave të nxehtë. Megjithatë, përpjekja doli e kotë. Arkeologët zbuluan mbetjet e katër viktimave, përfshirë një fëmijë që mbante një amuletë prej bronzi – një “bulla” romake që besohej se mbronte bartësin e saj.
“Gërmimi dhe vizita në Pompei do të thotë të përballesh ballë për ballë me bukurinë e artit, por edhe me brishtësinë e jetës,” u shpreh drejtori i parkut, Gabriele Cuctrigel. Ai shtoi se modelet në gips të objekteve dhe trupave të gjetur ofrojnë dëshmi të prekshme për tragjedinë që shkatërroi qytetin.
Shtëpia përbëhej nga një hyrje e madhe, një verandë, një dhomë gjumi dhe një sallë banketesh. Ekspertët besojnë se shpërthimi vullkanik filloi të depërtonte në ambientet e brendshme përmes një hapjeje në çatinë e atriumit, e cila në kushte normale shërbente për të kulluar ujin e shiut. Kjo mund të ketë qenë edhe paralajmërimi i parë për banorët, por rrjedha piroklastike që pasoi nuk i la askujt mundësi shpëtimi.
Përveç mbetjeve njerëzore, gërmuesit zbuluan edhe sende të përditshme që pasqyrojnë jetesën në Pompei, përfshirë amfora, lugë, broka dhe kupa prej bronzi – dëshmi të një kulture të zhvilluar që u zhduk në një moment fatal.
Shkatërrimi i Vezuvit mbetet një nga ngjarjet më dramatike të antikitetit, dhe zbulimet e reja nga “Shtëpia e Elës dhe Friksit” rikujtojnë se pas rrënojave, fshihen histori të jetës dhe vdekjes që ende na prekin thellë.