Lajme

Arrest në burg për rrëmbim dhe zhvatje: 5 persona përfundojnë në pranga për pengmarrjen e një 68-vjeçari

Togat e zeza të Dhomës Penale në Gjykatën e Tiranës kanë vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për pesë shtetas të dyshuar për pengmarrje me qëllim përfitimi financiar. Të ndaluarit janë vëllezërit Sulejman dhe Klinton Sina, Idajet Mashollari, Bajram Ibraliu dhe Nikoleta Begolli. Vendimi u dha nga gjyqtarja Oleda Lice, ndërsa veprat penale për të cilat akuzohen parashikojnë një dënim nga 10 deri në 20 vite burgim.

Sipas organit të akuzës, rrëmbimi i shtetasit Edvar Agalliu, 68 vjeç, është realizuar në rrugën “George W. Bush” në Tiranë, ku ai është marrë me forcë dhe më pas është dërguar në një banesë të braktisur në fshatin Kakunjë. Sulejman Sina ka marrë përsipër përgjegjësinë për rrëmbimin, duke pranuar se kishin kërkuar 20 milionë lekë të vjetra nga bashkëshortja e viktimës në këmbim të lirimit të tij.

Prokurori Enklid Gjini bëri me dije se hetimet, përmes kamerave të sigurisë dhe dëshmive të marra, kanë zbardhur të gjithë dinamikën e ngjarjes. Bashkëshortja e të rrëmbyerit, e kërcënuar për jetën e të shoqit, ka dorëzuar shumën e kërkuar pa e denoncuar menjëherë rastin, dyshohet nga frika për sigurinë e bashkëshortit.

Paratë janë dorëzuar tek shtetasi Bajram Ibraliu në zonën e Saukut, ndërsa autorët kishin planifikuar t’i ndanin në mënyrë të barabartë. Nga kontrolli i policisë, janë sekuestruar 17 milionë lekë të vjetra brenda automjetit që drejtohej nga Sulejman Sina, ku ndodhej edhe Nikoleta Begolli. Burime nga grupi hetues bëjnë me dije se një pjesë e parave, rreth 3 milionë lekë, janë përdorur nga të paktën dy prej autorëve për të shlyer kredi pranë institucionit financiar “IuteCredit”.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit vijojnë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button