Lajme

Berisha prezanton platformën sociale dhe ekonomike në Belsh e Cërrik: “Më 11 maj merr fund vjedhja”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar kandidatët për deputetë të opozitës në Belsh dhe Cërrik, duke shpallur një platformë të re sociale dhe ekonomike për qytetarët shqiptarë. Në një fjalim të gjatë e të ngarkuar me tone kritike ndaj qeverisë, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për braktisjen e shtresave në nevojë dhe për ndarjen e buxhetit në mënyrë klienteliste.

Sipas tij, qeveria aktuale ka rritur buxhetin në 8 miliardë euro, por për qytetarët ka ndarë vetëm 16 milionë, duke refuzuar propozimin për një pension minimal prej 200 eurosh. Berisha krahasoi nivelin e pensioneve në Shqipëri me vendet e rajonit, ku sipas tij, pensionistët kanë marrë rritje të ndjeshme, ndryshe nga Shqipëria, ku rritja e çmimeve dhe mosmbështetja sociale kanë zhytur të moshuarit në varfëri.

“Në vitin 2013 pensionisti malazez merrte më pak se ne. Sot merr 450 euro. Kurse ne kemi mbetur aty. Ky është krim,” u shpreh Berisha.

Ai premtoi rritje të ndjeshme të pagave dhe pensioneve, duke përfshirë një rrogë minimale prej 500 euro, mesatare prej 1250 euro dhe rritje të konsiderueshme për mësuesit, mjekët dhe infermierët. Gjithashtu, u zotua për dyfishimin e buxhetit për shëndetësinë dhe përshtatjen e listës së barnave të rimbursueshme sipas modelit italian.

Berisha denoncoi mungesën e barnave në spitalet publike, përjashtimin e pensionistëve nga check-up-i falas dhe përdorimin e ilaçeve joefektive nga kompani të lidhura me pushtetin. Ai deklaroi se çdo pensionist do të ketë të drejtë për analiza të plota falas dy herë në vit, të garantuara nga shteti.

“Më 11 maj merr fund vjedhja dhe abuzimi. Ne do ua kthejmë shqiptarëve paratë që u janë marrë padrejtësisht,” përfundoi ai.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button