Kreu i opozitës nga Belshi: “Subvencionet për fermerët pesëfish, tokat e Dumresë vetëm për banorët vendas”

Gjatë një takimi me qytetarët në Belsh, kreu i opozitës u shpreh me tone të forta kundër patronazhistëve që, sipas tij, po marrin tokat e Dumresë në mënyrë të padrejtë. “Larg duart nga tokat e Dumresë, asnjë metër tokë nuk do t’u njihet atyre që nuk janë banorë vendas”, deklaroi ai, duke paralajmëruar masa ligjore kundër çdo abuzimi.
Lideri opozitar premtoi se nëse vjen në pushtet, subvencionet për fermerët shqiptarë do të jenë identike me ato të rajonit, duke përmendur pesëfishimin e mbështetjes financiare për çdo fidan, bagëti dhe njësi prodhimi. Ai kritikoi qeverinë aktuale për fondet minimale të ndara për bujqësinë: “Edi Rama la në buxhet vetëm 32 milionë euro për 390 mijë fermerë, ndërsa Maqedonia ndan 230 milionë”.
Në planin ekonomik, lideri opozitar u zotua për krijimin e një klime më të favorshme për biznesin, me energji elektrike me çmim 6 lekë për bizneset e vogla, përgjysmim të tarifave të ujit dhe ulje të TVSH-së në 15 përqind. “Tavanet për tatim-fitimin dhe TVSH-në do të ngrihen në 180 mijë euro, ndërsa taksa e sheshtë për bizneset e mëdha do të jetë 10 përqind”, tha ai.
Ai premtoi gjithashtu investime në infrastrukturën bujqësore, duke theksuar se uji i hidrocentralit të Banjës do të përdoret për vaditjen e zonës së Dumresë.
Në përfundim, ai tha se programi i tij synon “rikthimin e taksave te qytetarët” dhe “motorë të fuqishëm për punësim dhe mirëqenie në mbarë vendin”.