Sekuestrohet 5000 m² tokë në Fier, dyshohet se është përfituar me dokumente të falsifikuara

Gjykata e Shkallës së Parë në Fier ka vendosur sekuestrimin e një sipërfaqeje prej 5000 m² tokë arë në fshatin Bishan të Levanit, Fier, me kërkesë të Prokurorisë së këtij qyteti. Dyshohet se kjo pasuri është përfituar në mënyrë të paligjshme përmes falsifikimit të dokumenteve pronësore.
Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, shtetasi D.F. ka përdorur një dokument të falsifikuar të llojit “Akt i Marrjes së Tokës në Pronësi” për të regjistruar tokën në vitin 2002. Më pas, në vitin 2010, ai ka ndarë pasurinë në dy pjesë: 4250 m² dhe 750 m², bazuar në një plan relevimi dhe aplikim personal.
Hetimet janë zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 215, të nisur më 28 shkurt 2023, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, e parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. Ato janë bazuar në materialet e referuara nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier.
Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për vendosjen e sekuestros mbi pasurinë, që përfshin dy parcelat me sipërfaqe 4250 m² dhe 750 m² në zonën kadastrale 1192 të fshatit Bishan.
Prokuroria Fier thekson se mbetet e angazhuar në luftën kundër pastrimit të produkteve të veprave penale dhe sekuestrimit të pasurive me origjinë të dyshimtë.