
Kandidati për deputet i koalicionit PD-ASHM për Qarkun Elbasan, Blendi Himçi ka denoncuar presionet që po i bën partia shtet, PS, votuesve shqiptarë në diasporë.
Në postimin e tij në Facebook, Himçi ka publikuar një sms të ardhur nga një shqiptar i diasporës, ku e njofton se PS i ka marrë në telefon dhe janë përpjekur t’i intimidojnë duke i kërkuar të filmojnë votën e tyre.Shtabet elektorale të Partisë Socialiste po i intimidojnë dhe shqetësojnë në mënyrë të organizuar qytetarët tanë jashtë vendit, duke i kontaktuar me telefon dhe duke u kërkuar që të votojnë për PS. Gjithashtu, denoncoj një tjetër praktikë të paprecedentë dhe alarmante. Emigrantëve që kanë familjarë të punësuar në administratën publike në Shqipëri po u kërkohet që të filmojnë procesin e votimit ,nga momenti i hedhjes së votës e deri te mbyllja e zarfit’, shkruan Himçi.
Postimi i plotë:
PS i trembet votës së lirë:Telefonata, intimidim dhe shkelje të rënda në procesin zgjedhor!
Me dhjetëra denoncime më kanë ardhur nga emigrantë shqiptarë gjatë këtyre ditëve, të cilët tregojnë për një situatë shqetësuese dhe të papranueshme që po zhvillohet në mënyrë sistematike.
Shtabet elektorale të Partisë Socialiste po i intimidojnë dhe shqetësojnë në mënyrë të organizuar qytetarët tanë jashtë vendit, duke i kontaktuar me telefon dhe duke u kërkuar që të votojnë për PS.
Kjo ngre një pikpyetje të rëndë që kërkon përgjigje të menjëhershme: si është e mundur që këto struktura politike disponojnë numrat personalë të kontaktit të emigrantëve, të dhëna që ndodhen ekskluzivisht në administrimin e KQZ-së? Kjo është një shkelje flagrante e të drejtës për privatësi dhe një sinjal i qartë i frikës që PS ka nga vota e lirë dhe e pandikuar e diasporës.
Gjithashtu, denoncoj një tjetër praktikë të paprecedentë dhe alarmante. Emigrantëve që kanë familjarë të punësuar në administratën publike në Shqipëri po u kërkohet që të filmojnë procesin e votimit ,nga momenti i hedhjes së votës e deri te mbyllja e zarfit.
Ky është një shantazh i ulët, që synon ta kthejë një akt demokratik në një akt frike dhe kontrolli politik.
U bëj thirrje institucioneve përgjegjëse, veçanërisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të marrin menjëherë masa konkrete për të ndalur këtë ndërhyrje të paligjshme dhe për të garantuar një proces të ndershëm dhe të pakontestueshëm.
Vota e diasporës është shprehje e lirë e qytetarëve që mbajnë gjallë ekonominë dhe shpresën për vendin.
Ajo nuk mund dhe nuk duhet të preket nga presioni politik.
Kjo situatë merr fund më 11 maj.