Lajme

Rama i përgjigjet kërkesës për dorëheqje: “Veliaj nuk është në burg, nuk funksionon kështu demokracia”

Kryeministri Edi Rama, në rubrikën e tij të përjavshme “Sy më Sy”, iu përgjigj një qytetari që i kërkoi të japë dorëheqjen, duke thënë se “Erion Veliaj është në burg”, një deklaratë që Rama e cilësoi të pavërtetë dhe të pabazuar.

“Teoria që jep dorëheqjen sepse është ky apo ai në burg, nuk funksionon. Nëse një person abuzon me detyrën, përgjegjësia është personale, jo kolektive,” deklaroi Rama, duke nënvizuar se drejtësia vepron mbi individët, jo mbi institucionet.

Kryeministri akuzoi opozitën për përpjekje për të ndikuar politikisht mbi SPAK-un, me synimin për të dëmtuar Partinë Socialiste. “Atë që nuk e realizojnë dot përballë popullit në fushatë, përpiqen ta arrijnë duke bërë presion mbi drejtësinë,” tha ai, duke shtuar se publiku shqiptar nuk bie pre e “propagandës” që sipas tij, synon të manipulojë opinionin.

Ndërkohë, kritikat ndaj qeverisjes së Ramës janë shtuar ditët e fundit, pas një sërë arrestimesh në radhët e zyrtarëve të PS-së, për çështje që lidhen me korrupsion dhe abuzim me fondet publike. Opozita ka akuzuar kreun e qeverisë për përgjegjësi morale dhe politike për situatën, duke kërkuar dorëheqjen e tij.

“Gjysma e qeverisë në burg, gjysma tjetër me një këmbë në SPAK. Kjo nuk është forcë qeverisëse, por një problem për vendin,” deklarojnë përfaqësues të opozitës, të cilët theksojnë se shqiptarët nuk kërkojnë më propagandë, por zgjidhje për hallet e përditshme – punësim, ujë të pijshëm, dhe investime për të ndaluar emigrimin.

Në reagimet e tij të fundit, Rama ka shmangur detajet për programin e PS-së për katër vitet e ardhshme, duke preferuar një ton ironik dhe kritik ndaj kundërshtarëve, ndërsa ka lënë pas edhe temën e “pasaportës dixhitale”, një premtim që është zhdukur nga fjalimet e tij të fundit.

Me afrimin e ditës së zgjedhjeve, tensioni politik sa vjen e rritet, ndërsa qytetarët duket se kërkojnë më shumë llogaridhënie sesa spektakël politik.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button