Gazetarja Ola Xama denoncon OSHEE: “Drejtori mungon, është në fushatë për PS. Shërbimi që pagova nuk më jepet”

Gazetarja e njohur Ola Xama ka denoncuar publikisht përmes një postimi në rrjetet sociale vonesat dhe pengesat e pakuptimta në marrjen e një shërbimi nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE). Ajo tregon se që prej datës 18 mars ka aplikuar për lidhje energjie me shtesë fuqie, por ende nuk ka marrë shërbimin, pavarësisht përpjekjeve të shumta, pagesës së kryer dhe blerjes vetë të materialeve të nevojshme.
Sipas Xamës, procesi është bllokuar sepse mungon firma e drejtorit rajonal, i cili ndodhet në fushatë elektorale për të mbledhur vota për Partinë Socialiste. Ajo shprehet se ka bërë qindra telefonata, ka kërkuar ndihmë nga miq e të njohur, dhe është përballur me burokraci të pafundme, vetëm për të marrë një shërbim që e ka paguar.
“E kupton që nuk ke për të hyrë kurrë në Bashkimin Europian, kur për të marrë një shërbim të cilin e paguan të sorollatin, të detyrojnë të futësh miq që të ta zgjidhin dhe në fund të marrësh përgjigjen se ka mbetur vetëm për firmë por drejtori është në fushatë”, shkruan Xama.
Gazetarja thekson se procedura parashikon aplikimin online, përgatitjen e preventivit nga specialistët dhe pagesën e një fature që varion nga 500 në 800 euro. Megjithatë, sipas saj, vonesat dhe mungesa e përgjegjësisë institucionale janë bërë pengesë e vazhdueshme.
“Ne i paguajmë rrogën, por ai punon për Partinë Socialiste. Kjo është keqeverisja dhe këtu e kupton që Bashkimi Europian është qindra vite dritë larg”, përfundon Xama në denoncimin e saj.
Ky rast hedh dritë mbi problemet serioze të administratës publike, ku shërbimet bazë, të cilat qytetarët i paguajnë, pengohen nga interesat politike dhe fushatat elektorale.