Gazment Bardhi akuzon Ballukun për presion politik ndaj familjarëve të kandidates së PD në Fier

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar ashpër zv.kryeministren Belinda Balluku, duke e lidhur atë me akte presioni ndaj familjarëve të kandidates së PD-së në Fier, Silva Hasaj.
Në një deklaratë publike, Bardhi dënoi atë që e cilësoi si “intimidim politik” të organizuar përmes përdorimit të Policisë së Shtetit, duke paralajmëruar se këto veprime përbëjnë një rrezik serioz për demokracinë dhe stabilitetin në vend.
Sipas Bardhit, Policia e Shtetit është shndërruar në një instrument politik nën urdhrat e Ballukut dhe Kryeministrit Edi Rama, në përpjekje për të frikësuar qytetarët dhe për të deformuar vullnetin e tyre të lirë.
“Kjo është një shfaqje e qartë e kapjes së shtetit, ku organet e rendit përdoren si vegla të pushtetit për të goditur kundërshtarët politikë”, u shpreh Bardhi, duke shtuar se “tentativa për të bashkuar policinë, politikën dhe krimin e organizuar është një rrezik serioz për demokracinë”.
Në përfundim të deklaratës së tij, Bardhi theksoi se këto veprime nuk do të mbeten pa pasoja, duke paralajmëruar se “Edi Rama dhe Belinda Balluku, si dhe ata që zbatojnë urdhrat e tyre, do të përballen me drejtësinë”. Ai kërkoi gjithashtu që OSBE/ODIHR dhe institucionet ndërkombëtare të monitorojnë nga afër sjelljen e Policisë së Shtetit gjatë procesit zgjedhor për të garantuar mbrojtjen e standardeve demokratike.