KryesoreLajme

Papa Francesku: Dritë për Shqipërinë dhe kujtesa e identitetit tonë

Nga Ndriçim Kulla/

E gjithë bota politike dhe katolike është mbledhur sot në Romë për ti dhënë lamtumirën tokësore Atit të shenjtë, Papa Franceskut! Shumëkush ka shkruar për papatin e tij, për atë çfarë i dhuroi Kishës së krishterë, por edhe shumë kauzave sociale të botës së sotme, për të cilat ai u quajt “Papa i të varfërve”. Vetëm se për ne, shqiptarët, si në mënyrë providenciale, emri i tij do të mbetet i lidhur me disa nga ngjarjet më të mëdha të historisë sonë. Duke i njohur mrekullinë e dytë, ishte ky Papë që ratifikoi shpalljen shenjt të Nënë Terezës, gruas së buzëqeshjes, gruas së mëshirës, sic e cilësonte ai, duke i ritreguar haptazi gjithë botës, thelbin e qenies shqiptare në shekuj, që tek Nënë Tereza gjen një traditë të saj kulmore. E kish bërë shpalljen e virtyteve më të mira të këtij” populli bujar dhe të besës” Papati edhe me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti, kur ai mbajti një ceremoni festive në Vatikan, në nderim të atij që historia botërore e ka cilësuar si “athleta Kristi” i Evropës. Si i pari Papë jezuit, ai duket të ketë vazhduar edhe traditën e papatit për Skënderbeun, kur më 1968, kish festuar 500 vjetorin e tij, nga një tjetër jezuit i madh, albanologu ynë më i madh, At Zef Valentini në bashkëpunim me Papa Pavlin VI

Kjo ishte një kujtesë e rëndësishme historike e trashëgimisë sonë të krishterë, por kulmin e vlerave dhe rrënjëve tona identitare, Papa Francesku e tha në fjalën që mbajti gjatë vizitës së tij proverbiale në Tiranë. Duke cituar nje varg të Biblës, që vërteton se ” Shën Pali ka predikuar kudo nëpër Iliri”, ai i shpalli botës por edhe shqiptarëve, rrënjët më të lashta dhe kujtesën më të vyer të një populli biblik, që krishterimin e ka marrë direkt nga apostujt, e kësisoj, duhet të krenohet si një popull me besim apostolik. Është kjo një nga kujtesat më te jashtëzakonshme të qenies shqiptare, që na jep parësinë jo vetëm ndaj kombeve te krishtera të Evropës dhe botës, por na vendos në protagonistët më të mëdhenj të krishterimit në Evropë. Ishte kjo arsyeja që albanologjia evropiane elitare i ka kthyer e do ti kthejë gjithmonë sytë nga historia dhe qenia shqiptare. Papa Francesku i dha zë e fuqi historisë së një populli të lidhur ngushtësisht me krishterimin, jo më kot, por sepse dhe historia e krishterimit të hershëm e te vonë e provon një gjë të tillë. Në vitin 58 pas Krishtit, në Durrës numërohen 60 familje të mëdha të krishtera, një shkallë kjo e jashtëzakonshme për kohën, që tregon se shqiptarët u lidhën menjëherë me besimin. Do vijojmë menjëherë në vitin 98 me shenjtin e parë të krishterë, Shën Astin nga Durrësi, me 7 shokët e tij, për ti dhënë kështu fillim gjithë traditës së madhe të shenjtëve shqiptarë, ne çdo shekull të historisë së njerëzimit, që i dhanë të drejtë Valentinit ta quante kombin shqiptar komb shenjtësh. Dhe ja tek në shekullin XXI, tradita merr kulm e ringjallet jo vetëm me Nënë Terezën, por edhe me 40 martirët e rrëgjimit komunist, që Papa Francesku i lumnoi me rastin e vizitës së tij në Shqipëri. Nuk është një histori e vjetër, e lashtë, është një histori martirësh shqiptarë të vdekur në tortura makabre me emrin e Krishtit në gojë, që Papa, duke qenë vizionar, me shenjtërinë e tij përtej gjërave të jetës se përditshme, kërkoi të na i lumnonte për të na dhënë disa mësime të historisë dhe identitetit shqiptar.

Sot është e modës që të duken si progresiste dhe të mbizotërojnë kudo nëpër media e programe televizive me audiencë të lartë, përkrahja e modeleve kulturorë që propagandojnë më mirë e më shumë ateizmin, mbrojtjen e lgbtq, të shtresave të marxhinuara, mbrojtjen e feminizmit, e kështu me radhë, shumë me tepër se sa besimin e krishterë dhe ruajtjen e vlerave të tij, që për ne shqiptarët janë rrënjë identitare. Vlerësimi dhe lumnimi i shenjtëve dhe martirëve në shekullin e tanishëm, ishte një kujtesë e përjetshme që Papa Francesku na la. Shqiptarët nuk janë afetarë, siç mundohen të na predikojnë komentatorët e sotëm wokistë që mbizotërojnë televizionet tona kombëtare, përkundrazi ka një lidhje të ngushtë e të fortë me besimin në shekuj. Ndaj liberalizmi dhe modernizmi i këtyre dekadave nuk mund të fshijë historinë tonë të vazhdueshme si martirë të krishterimit, as ta relativizojë, siç ndodhi para pak kohe, kur simbolet e krishtera u hodhën dhe u përdhosëm në sy të miliona shqiptarëve, në ekranin e Top Chanel, ne emisionin e tij më të ndjekur. Është nje turp i kujtesës dhe rrënjëve tona shumëshekullore, që diçka e tillë të mos ishte ngritur në nivelin dhe vendin që i takonte, për ti dhënë zë e fillim një lëvizje që e konsideron Zotin si real dhe mbrojtjen e besimit të krishterë dhe çdo besimi tjetër , kudo: në shkollë, në punë, ne çdo vend ku ai predikohet. Jo më kot lëvizja woke e lë në heshtje ketë besim dhe çdo besim tjetër dhe jo me kot zgjedh modelet kulturorë të liberalizmit për të mbrojtur. Dhe e gjitha nuk bëhet për të mbrojtur dhe përhapur misticizmin por për të mbrojtur këtë kulturë historike. E gjitha nuk është vërtet për të luftuar për to, por për te marrë dhe nxjerre privilegje prej tyre. Ndaj sot, në këtë ditë reflektimi te thellë, le ti kujtojmë mësimet e historisë sonë, që Papa Francesku na i la të gjalla mes nesh: le ta mbrojmë dhe bëjmë model kulturor besimin e krishterë, si vulën e identitetit shqiptar; le t’i kokëpërmbysim modelet kulturorë woke që po mundohet të na rrënjosë moderniteti dhe progresizmi fake i epokës liberale: dhe së fundi, le ti rikujtojmë bëmat famëkeqe të komunizmit, llojit më destruktiv të qenies shqiptare dhe pjellave të tyre qe ngrenë kokën herë pas here sa herë që u jepet rasti. Edhe partitë që i mbështesin ose u japin terren këtyre nostalgjive për vota apo fushatë, lumnimi i 40 martirëve, le tu mbetet si njolla e tyre e zezë e jetës dhe historisë. Shumë kujtesa të mëdha te identitetit tonë na la trashëgim ky Papë duke përfshirë nderimin e veçantë të gjitha besimeve fetare në Shqipëri dhe tolerancën e tyre unikale. Na ngelet ne shqiptarëve ti kemi si yllin polar të lëvizjeve tona për të ardhmen.

U prehsh në paqe At i shenjtë. Amen!

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button