Sport

Manchester City përgatit revolucionin: 215 milionë euro për Florian Wirtz dhe Desire Doue

Manchester City është duke përgatitur një super-operacion në merkato, që mund të tronditë themelet e futbollit evropian. Kampionët e Anglisë, nën drejtimin e Pep Guardiolës, kanë vënë në shënjestër dy nga talentet më të mëdhenj të kontinentit: Florian Wirtz dhe Desire Doue, dhe janë gati të investojnë plot 215 milionë euro për t’i sjellë në “Etihad Stadium”.

Sipas raportimeve, City planifikon të bëjë një “pastrim” të thellë në skuadër, duke hapur rrugën për largimin e emrave të njohur si Jack Grealish, Bernardo Silva dhe Jeremy Doku. Objektivi është krijimi i një skuadre të re, të freskët dhe të uritur për suksese të reja në vitet që vijnë.

Në qendër të këtij projekti qëndron Florian Wirtz, “motori” i mesfushës së Bayer Leverkusen nën drejtimin e Xabi Alonsos. Vetëm 21 vjeç, Wirtz ka mahnitur Europën me vizionin, teknikën dhe maturinë e tij, duke u kthyer në një prej lojtarëve më të kërkuar në treg. City është gati të ofrojë 115 milionë euro për shërbimet e tij, me Guardiolën që e sheh si pasardhësin ideal të Kevin De Bruyne, i cili po i afrohet fazës së fundit të karrierës së tij.

Në anën tjetër, Desire Doue, 19-vjeçari i talentuar i PSG-së, është gjithashtu në radarët e Cityt. Me një shpejtësi të frikshme, teknikë të rafinuar dhe aftësi për të luajtur në disa pozicione sulmuese, Doue shihet si një investim i madh për të ardhmen. City është gati të ofrojë rreth 100 milionë euro për kartonin e tij, një shumë që mund të tundojë klubin parizien, edhe pse lojtari ka kontratë deri në vitin 2029.

Negociatat pritet të jenë të ndërlikuara, por optimizmi në kampin e Manchester Cityt është i lartë. Ky projekt tregon qartë ambicien e klubit për të ndërtuar skuadrën e së ardhmes, një ekip që synon të dominojë jo vetëm Premier League, por edhe futbollin evropian.

Nëse këto dy goditje finalizohen, dominimi i Cityt pritet të vazhdojë edhe për shumë vite, duke rritur ambiciet për të fituar më shumë trofe në Champions League.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button