Operacionet “Dërgesa 1” dhe “Dërgesa 2”/ Policia sekuestron 7.7 kg kanabis, arrestohet një person dhe shpallet në kërkim një tjetër

Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionet “Dërgesa 1” dhe “Dërgesa 2”, duke goditur tentativat për shpërndarjen e lëndëve narkotike përmes postës.
Në kuadër të operacionit “Dërgesa 1”, shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë shtetasin R. H., 32 vjeç, në një degë postare në Elbasan, teksa po merrte 2 pako që përmbanin rreth 4 kg kanabis me përqindje të lartë të substancës aktive THC.
Ndërkohë, në operacionin “Dërgesa 2”, në Vorë, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi F. I., 21 vjeç, i dyshuar se do të merrte një pako me rreth 3.7 kg kanabis, gjithashtu me përqindje të lartë THC.
Në total, gjatë këtyre operacioneve janë sekuestruar 3 pako me 7.7 kg lëndë narkotike.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrjetit të shpërndarjes dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë.