Dhunë ndaj të miturit në Komisariatin Nr. 1, Policia e Tiranës merr masa ndaj tre efektivëve

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka reaguar zyrtarisht pas një njoftimi të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, ku pretendohet se një 14-vjeçar është dhunuar gjatë qëndrimit në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1.
Sipas Policisë, i mituri ishte shoqëruar në komisariat më 12 prill, pasi dyshohej se kishte hedhur lëndë piroteknike në zonën e Liqenit Artificial, çka kishte shkaktuar panik dhe shqetësim tek banorët. Ai është proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprën “Prishja e qetësisë publike”.
Menjëherë pas pretendimeve të ngritura nga prindërit e të miturit për dhunë në ambientet e Komisariatit, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka nisur një hetim disiplinor ndaj tre efektivëve: Inspektor D. M., Inspektor R. D. dhe Nënkomisare Xh. B., të cilët akuzohen për shkelje të rëndë të detyrës.
Po ashtu, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka referuar çështjen në Prokurori më 15 prill, për hetim penal ndaj tre punonjësve për veprat “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.
Paralelisht, Drejtoria e Standardeve Profesionale, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka nisur një hetim administrativ për të verifikuar nëse janë shkelur kompetencat dhe procedurat e punës.
Policia e Shtetit thekson se është e angazhuar për të dokumentuar çdo detaj të ngjarjes me prova ligjore dhe për të garantuar një hetim të paanshëm, në përputhje me ligjin.
Në pritje të rezultateve të hetimeve, rasti ka ngritur sërish shqetësimin për respektimin e të drejtave të të miturve gjatë procedurave të ndalimit nga autoritetet.