KQZ justifikon propagandën e Ballukut në rrjete sociale si “informim publik”

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vlerësuar si “me karakter informues” postimet me përmbajtje propagandistike të Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës dhe institucioneve në varësi, të cilat promovojnë aktivitetet e kandidates për deputete, Belinda Balluku.
Në një përgjigje për BIRN, KQZ deklaroi se postimet e bëra nga ndërmarrja shtetërore Albgaz sh.a dhe të tjera institucione nuk përbëjnë shkelje të Kodit Zgjedhor. “Nga verifikimet e kryera, rezulton se postimet e publikuara nga shoqëria Albgaz sh.a janë të natyrës informuese dhe përmbajnë aktivitete që lidhen me funksionet publike të vetë institucionit,” tha zëdhënësja e KQZ.
Sipas KQZ, këto postime nuk përfshihen në kategorinë e veprimtarive të ndaluara sipas Vendimit nr. 9, datë 24.12.2020, për rregullat e raportimit të veprimtarive me karakter publik gjatë periudhës zgjedhore.
Megjithatë, ky qëndrim ka ngjallur kritika. Juristi Dhimitër Zguro e cilësoi vendimin e KQZ-së si një standard të dyfishtë dhe shkelje të qartë të Kodit Zgjedhor. “Në përmbajtjen e këtyre postimeve shfaqen qartazi mesazhe politike dhe slogane elektorale si ‘Shqipëria 2030’ dhe ‘Partia Socialiste’, që e bëjnë postimin propagandistik dhe jo informues,” tha Zguro për BIRN.
Gjatë javës së parë të fushatës, BIRN zbuloi se një poster elektoral i ministres Balluku u ripostua nga vetë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe nga institucione si Autoriteti Rrugor Shqiptar, Task Forca e Transportit Rrugor, Agjencia Shtetërore për Shpronësim dhe Albgaz.
Rrjetet sociale janë kthyer në një mjet të rëndësishëm të propagandës elektorale në Shqipëri, ku kandidatët dhe partitë shpenzojnë shuma të mëdha në reklama dhe menaxhojnë stafe të posaçme për shpërndarjen e përmbajtjes. Megjithatë, kritikat ndaj përdorimit të administratës publike dhe burimeve shtetërore për qëllime elektorale vazhdojnë të jenë të pranishme.