Lajme

Gjin Gjoni akuzon Ramën dhe Manjën për manipulim të votës së emigrantëve në Lezhë: Kërkon ndërhyrje urgjente nga SPAK

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në Qarkun e Lezhës, Gjin Gjoni, ka ngritur alarmin për atë që ai e cilëson si një skenar manipulimi elektoral që po zbatohet mbi emigrantët lezhjanë në Itali, përmes implementimit të ashtuquajturve “Manuali 184” dhe “Manuali Çyrbja”.

Në një deklaratë për mediat, Gjoni akuzoi Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, për përpjekje sistematike për të deformuar vullnetin e votuesve përmes presioneve dhe patronazhistëve. Ai theksoi se Qarku i Lezhës është më i rrezikuari nga këto praktika dhe se institucionet përgjegjëse, si SPAK dhe Policia e Shtetit, kanë dështuar të ndërhyjnë.

Si provë, Gjoni përmendi një video të publikuar në Syri Televizion, ku një emigrante në zyrat e DHL në Itali pretendohet të jetë instruuar përmes telefonit nga një patronazhist për të votuar për kandidatin socialist Ermal Pacaj, duke përmendur gjithashtu emrin e ministrit Ulsi Manja.

Gjoni i bëri thirrje Task Forcës së SPAK që të veprojë menjëherë, duke kërkuar që drejtuesi i saj, Altin Dumani, të zbarkojë në Lezhë dhe të nisë hetimet për atë që ai e quajti “krim zgjedhor të rëndë”. Ai theksoi se sekuestrimi i telefonave është i mjaftueshëm për të zbuluar rrjetin dhe mënyrën e manipulimit.

Ndërkohë, ai kërkoi edhe reagim zyrtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe kryetari i tij, Ilirjan Celibashi, për të sqaruar lidhur me materialin filmik të publikuar dhe për të vënë në dispozicion të SPAK-ut të gjitha të dhënat përkatëse.

“Vota e emigrantëve është një arritje demokratike dhe nuk duhet të përdhoset nga patronazhistët dhe metodat kriminale të manipulimit,” – u shpreh Gjoni, duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive në votime si mënyra më e mirë për të shmangur çdo përpjekje për deformim të rezultatit.

Ai përfundoi me një paralajmërim për qeverinë: “Mos tentoni të frikësoni banorët e Lezhës, Mirditës dhe Kurbinit, sepse do përballeni me pasoja.”

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button