Sport

Flamurtari shpallet kampion i Shqipërisë në basketboll për femra, mund Tiranën në finale

Ekipi i Flamurtarit është shpallur kampion i Shqipërisë në basketboll për femra për sezonin sportiv 2024-2025.

Vlonjatet fituan sot 63-53 ndaj Tiranës në finalen e tretë “play off”, luajtur në Vlorë.

Flamurtari i fitoi të tri finalet e luajtura, duke triumfuar 3-0 me ndeshje ndaj bardhebluve.

Edhe pse pritej një përballje më e fortë mes dy skuadrave më të mira në Shqipëri, këto finale konfirmuan dominimin e vlonjateve.

Një titull kampion i merituar për Flamurtarin, që e rriti nivelin e lojës së tij ndjeshëm muajt e fundit, duke triumfuar edhe në Ligën Unike.

Ndërkohë që sot, bregdetaret ngritën lart edhe titullin e kampionatit.

Ndeshja e luajtur sot në Vlorë u dominua nga vendaset, që u shkëputën 20-7 që në periodën e parë, epërsi që e ruajtën deri në fund.

Përpjekjet e bardhebluve ishin të vakëta, pa forcën e duhur për të përmbysur shifrat.

Ramos me 16 pikë ishte shënuesja më e mirë e skuadrës vlonjate, mbështetur nga Thomas me 13 pikë e Johnson me 12. Për Tiranën u dallua Ndogbwo me 24 pikë, por që s’mjaftuan për të fituar.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button