SPAK jep pretencën për dosjen “5D”: Kërkohen dënime me burg dhe ndalim funksionesh publike për zyrtarët

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë pretencën për procesin e ndarë lidhur me dosjen “5D”, që përfshin akuza për shkelje në procedurat e tenderimit publik.
SPAK ka kërkuar 1 vit burg për ish-drejtoreshën e klubit shumësportësh Tirana, dënim i cili, për shkak të gjykimit të shkurtuar, zbret në 8 muaj. Prokuroria kërkon gjithashtu pezullimin e dënimit, vendosjen në provë për një periudhë 2-vjeçare dhe ndalimin për 5 vite të ushtrimit të funksioneve publike.
E njëjta masë u kërkua edhe për anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO), përfshirë Teuta Gurin, për të cilën u kërkuan 9 muaj burg, që me uljen për shkak të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 6 muaj. SPAK kërkon gjithashtu pezullim dënimi, vendosje në provë për 2 vite dhe ndalim për 5 vite nga funksionet publike.
Të njëjtat kërkesa janë bërë edhe për dy anëtarët e tjerë të KVO-së, Renaldo Gjerazi dhe Jetjon Meraj.
Prokurori Klodian Braho sqaroi se në këtë vendim është marrë parasysh vlera relativisht e vogël e prokurimit, rreth 3 milion lekë, ku përfitues ishte shoqëria “5D” për dy tendera: një i lidhur me “Tirana Parking” dhe një tjetër për rikonstruksionin e një palestre.