Lajme

Zhvillim i ri në hetimet për vrasjen e Ilaria Sulës: Gjendet dhe sekuestrohet celulari i viktimës

Një zhvillim i rëndësishëm ka ndodhur ditët e fundit në hetimet për vrasjen makabre të Ilaria Sulës, 22-vjeçares me origjinë shqiptare, e cila u vra më 25 mars në Romë. Hetuesit italianë kanë zbuluar dhe sekuestruar celularin e saj, i cili u gjet në banesën ku ndodhi krimi, në rrugën Homs, në lagjen afrikane të kryeqytetit italian.

Celulari pritet t’i nënshtrohet një analize të detajuar nga ekspertët, me qëllim zbardhjen e aktiviteteve të fundit të viktimës, si dhe për të hedhur dritë mbi komunikimet që mund të ndihmojnë në zbardhjen e mëtejshme të ngjarjes tragjike.

Ilaria ishte studente në Universitetin ‘La Sapienza’ në Romë dhe sipas hetimeve të deritanishme, ajo u vra në banesën e ish-partnerit të saj, Mark Samson, një 23-vjeçar me origjinë filipineze. Në momentin e krimit, në banesë ndodheshin edhe prindërit e tij.

Pas vrasjes, Samson dyshohet se ka futur trupin e pajetë të Ilarias në një valixhe dhe e ka hedhur atë nga një shkëmb pranë zonës së Bashkisë Poli. Trupi i saj u gjet më 2 prill, shtatë ditë pas zhdukjes.

Hetuesit kanë dyshime të forta se autori ka përdorur celularin e viktimës për të dërguar mesazhe familjarëve dhe për të bërë postime në rrjetet sociale, me qëllim manipulimin e ngjarjes dhe krijimin e përshtypjes se Ilaria ishte larguar me dëshirë.

Autoritetet italiane e konsiderojnë celularin si një provë kyçe që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të këtij krimi që ka tronditur opinionin publik në Itali dhe Shqipëri.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button