Gjykata e Apelit prish vendimin për dosjen “Call Centerat”, çështja kthehet për rigjykim

Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të prishë vendimin e mëparshëm të dhënë nga GJKKO për dënimin e Erjon Kasmit dhe 12 të pandehurve të tjerë të përfshirë në çështjen e njohur si “Call Centerat”. Çështja do të rikthehet për rigjykim me një trupë tjetër gjyqtarësh.
Vendimi erdhi pas ankimit të bërë nga Erjon Kasmi dhe Xhuljan Xhafa, të cilët kundërshtuan vendimin e datës 8 gusht 2024, ku u shpallën fajtorë për mashtrim dhe vepra të tjera penale të lidhura me aktivitetin e paligjshëm të call center-ave.
Kasmi ishte dënuar fillimisht me 11 vite burg, por pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar dënimi iu reduktua në 7.4 vite. Ndërsa Xhuljan Xhafa, i cili kishte marrë një dënim prej 10 vitesh, do të vuante 6.8 vite pas të njëjtit aplikim ligjor.
Dosja “Call Centerat” është një nga rastet më të bujshme të viteve të fundit, ku dhjetëra persona akuzohen për mashtrim ndaj qytetarëve të huaj përmes telefonatave të strukturuara në skema kriminale. Rikthimi i çështjes për rigjykim pritet të risjellë në vëmendje dinamika të reja në procesin gjyqësor.