Skemë korruptive në Onkologjik: Biopsitë e pacientëve me kancer dërgohen në privat, kush përfiton?

Një tjetër skemë e frikshme abuzimi duket se ka gjetur terren në Spitalin Onkologjik pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Si institucioni i vetëm që trajton sëmundjet kancerogjene në vend, Onkologjiku ka përgjegjësinë për të garantuar diagnozë dhe trajtim të specializuar për mijëra pacientë në nevojë, por realiteti që denoncohet tregon një tjetër fytyrë të errët të sistemit shëndetësor.
Gazetari Osman Stafa ka ngritur alarmin për një skemë të mirorganizuar korrupsioni që përfshin referimin e biopsive të pacientëve drejt laboratorëve privatë. Kjo ndodh, pavarësisht se analizat e tilla duhet të kryhen brenda ambienteve të spitalit, me pajisje dhe staf të specializuar.
Sipas dëshmive të qytetarëve të prekur ose të afërmve të pacientëve, ky referim nuk ndodh për arsye profesionale, por si pjesë e një zinxhiri abuziv, ku individë të caktuar përfitojnë financiarisht nga çdo rast i dërguar në privat. Me një kosto që shpesh kalon mundësitë e familjeve shqiptare, këto analiza të domosdoshme për jetën po kthehen në burim fitimi për disa, ndërsa për pacientët mbeten një barrë e rëndë mes sëmundjes dhe varfërisë.
Në thelb të kësaj skeme që përshkruhet si “korrupsion me vdekjen”, qytetarët pyesin me të drejtë: Kush i dërgon pacientët në laboratorët privatë dhe kush përfiton nga kjo?
Autoritetet shëndetësore deri më tani nuk kanë dhënë asnjë reagim zyrtar, ndërkohë që situata kërkon hetim të menjëhershëm dhe transparencë të plotë. Jetët e pacientëve nuk mund të kthehen në monedhë shkëmbimi për interesa personale.