Spahiu: Papa Françesku, një mik i madh i Komunitetit Mysliman dhe një mbështetës i dialogut ndërfetar

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Papa Franceskut mëngjesin e sotëm.
Në një postim të tij në rrjetet sociale, Spahiu ka theksuar ndikimin e madh që Papa Françesku pati në promovimin e dialogut ndërfetar dhe vlerësimin që ai kishte për Shqipërinë dhe Komunitetin Mysliman.
Ai ka kujtuar takimin e veçantë me Papa Franceskun më 6 maj 2022, një takim kokë më kokë, ku diskutuan për rëndësinë e bashkëjetesës dhe paqes mes besimeve. Spahiu gjithashtu ka shprehur ngushëllimet e tij për komunitetin katolik në Shqipëri dhe për shtetin e Vatikanit.
“Sot u nda nga jeta një Papë që e deshi shumë dialogun ndër fetar, e deshi shumë vendin tonë dhe vlerësoi veçanërisht Komunitetin Mysliman të Shqipërisë për rolin që luan në shoqërinë shqiptare.
Kam patur nderin e veçantë të jem kryetari i parë në historinë e KMSH që kam patur një audiecë të posaçme, me ftesë të tij, me Papa Françeskun. Takim që u zhvilluam më 6 maj 2022.
Në takimin kokë më kokë me Papa Françeskun, takim i cili zgjati për më shumë se 30 minuta, patëm një diskutim të gjerë nga i cili, përveç të tjerash, kuptova rëndësinë që ai i kushtonte dialogut dhe vlerësimit të lartë që kishte për Shqipërinë e për rolin e Komuniteti Mysliman.
Sot bota nuk ka humbur vetëm një Papë, por edhe një kryetar shteti e lider fetar që punoi shumë për paqe mes besimeve e për një botë më të qetë e të pa trazuar.
Unë dhe Komuniteti Mysliman kemi humbur gjithashtu një mik.
I shpreh ngushëllimet e mia bashkëpunëtorëve të tij të komunitetit katolik në Shqipëri dhe shtetit të Vatikanit!”, shkruan Spahiu në një postim në Facebook.