Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve reagim për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut: “Bota humbi liderin e madh të paqes”

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj (Baba Mondi), ka reaguar pas lajmit të ndarjes nga jeta të Papa Françeskut. Në një deklaratë publike, ai shprehu dhimbjen e tij për humbjen e kreut të Kishës Katolike, duke e cilësuar atë si një lider të madh botëror dhe simbol të paqes.
“Sot bota humbi liderin e madh botëror të kohës, flamurtarin e paqes dhe të dashurisë,” – tha Baba Mondi. Ai theksoi se Papa Françesku kishte një dashuri të veçantë për popullin shqiptar, të cilin e quante një “komb martir të Zotit”.
Ndërkohë, mëngjesin e sotëm, Vatikani njoftoi se Papa Françesku ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare. Papa, i cili ishte udhëheqësi i parë nga Amerika Latine i Kishës Katolike Romake, ndërroi jetë në orën 07:35 të mëngjesit të së hënës së Pashkëve, një ditë pasi u shfaq në sheshin e Shën Pjetrit ku uroi “Gëzuar Pashkët” për mijëra besimtarë.
Më herët, Papa ishte shtruar në spital për pesë javë për shkak të një pneumonie të dyfishtë, por kishte dalë prej andej muajin e kaluar.
Vdekja e tij ka sjellë një valë reagimesh dhe ngushëllimesh nga liderë fetarë dhe politikë nga mbarë bota.