Lajme
Kryesore

Jorida Tabaku në takim me fermerët: “Po dështojmë me bujqësinë, fshati po braktiset”

 

Kandidatja për deputete nga radhët e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, zhvilloi një takim me fermerët në një nga zonat rurale pranë Tiranës, ku solli në vëmendje situatën e vështirë të bujqësisë shqiptare dhe braktisjen në rritje të fshatit.

Gjatë bashkëbisedimit me fermerët, Tabaku u shpreh se Shqipëria po dështon në menaxhimin e një prej pasurive më të mëdha që zotëron: tokën dhe njerëzit e punës. “Po dështojmë me atë që na ka dhuruar Zoti – me bujqësinë. Po dështojmë me fermerin,” – tha ajo me keqardhje, duke theksuar se mungesa e brezit të ri në fshat po lë tokat djerrë.

Fermerët, nga ana e tyre, ndanë një sërë problemesh me të cilat përballen çdo ditë: nga mungesa e fuqisë punëtore dhe taksat e larta, te çmimet e rritura të naftës dhe energjisë, si dhe konkurrenca e padrejtë nga produktet e importit.

“Nafta na shtrenjtohet çdo ditë. Energjia po ashtu. Dhe për më tepër, ne jemi në të njëjtën fashë TVSH-je me importuesit. Kjo është një padrejtësi,” – u shpreh një prej fermerëve.

Përballë këtyre shqetësimeve, Tabaku prezantoi disa nga pikat kryesore të programit të saj për zhvillimin e fshatit dhe përfshirjen e diasporës në këtë proces. Ajo premtoi:

Uljen e TVSH-së për bujqësinë në 6%;

Subvencione të drejtpërdrejta për fermerët;

Përdorim real dhe efektiv të fondeve IPARD, të bllokuara aktualisht për shkak të korrupsionit;

Rilidhjen e bujqësisë me turizmin për të nxitur zhvillimin rural;

Pesë vite pa taksa për shqiptarët që kthehen nga diaspora dhe investojnë në fshat.

“Fshati ka nevojë për gjëra të vogla, por duhet ta duash që t’i bësh. Ne e kemi këtë dashuri dhe e kemi këtë vizion,” – përfundoi Tabaku.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button