KryesoreLajme

Mizat në shtëpi: Rreziku i padukshëm dhe si të mbroheni

Mizat që arrijnë të futen në shtëpi nuk janë vetëm bezdisëse, por edhe një rrezik i vërtetë për shëndetin. Ato tërhiqen nga plehrat, banjat apo ushqimet e kalbura, ku grumbullojnë miliona baktere në trupin e tyre. Këto mikrobe transferohen lehtë tek ushqimet apo sipërfaqet e gatimit, duke rritur rrezikun për sëmundje të rënda si kolera.

Ekspertët këshillojnë që çdo kontakt i ushqimit me mizat ta konsideroni të rrezikshëm dhe të shmangni konsumimin e tij. Fatmirësisht, ekzistojnë disa mënyra natyrale dhe të thjeshta për t’i mbajtur larg mizat nga shtëpia. Një ndër metodat më të njohura është vendosja e qeseve plastike të mbushura me ujë pranë dritareve apo dyerve, pasi reflektimi i dritës nga uji prish shikimin e mizave dhe i tremb ato. Po ashtu, uthulla e ngrohtë e mollës e vendosur në një kavanoz me një hinkë krijon një kurth efektiv për mizat.

Aroma e karafilit është një tjetër armë natyrale. Disa fara karafili të futura në gjysma limoni mund të mbahen në tryezën e bukës për të larguar mizat gjatë ngrënies. Verërat, sidomos e kuqja, tërheqin mizat dhe mund të përdoren në të njëjtën mënyrë si uthulla për t’i mbërthyer në kurth.

Borziloku dhe kastraveci janë dy elementë të tjerë që mizat nuk i duan aspak. Aroma e borzilokut vepron si repelent natyral, ndërsa copat e kastravecit janë të dobishme sidomos pranë koshave të plehrave për të ndaluar vezët e mizave.

Një kurth efektiv mund të bëhet edhe me mjaltë. Pjesa e sipërme e një shisheje plastike lyhet me mjaltë dhe vendoset mbrapsht mbi ujin me sapun, duke e kthyer në një kurth ku mizat bien brenda.

Së fundi, por më e rëndësishmja, është mbajtja e shtëpisë pastër, hedhja e rregullt e mbetjeve dhe ruajtja e ushqimit në mënyrë higjienike për të shmangur praninë e mizave dhe rreziqet që ato sjellin.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button