Maqellarë/Dibër – Arrestohen tre vëllezër për kundërshtim me dhunë ndaj policisë dhe shkatërrim prone

Policia e Dibrës ka arrestuar tre vëllezër në Maqellarë, pasi kundërshtuan me dhunë punonjësit e rendit gjatë kryerjes së detyrës dhe dëmtuan një nga automjetet e shërbimit policor.
Të arrestuarit janë shtetasit A.M., 64 vjeç, A.M., 59 vjeç dhe A.M., 53 vjeç, banues në Maqellarë. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, ata do të përballen me akuzat për “Kundërshtim me dhunë ndaj punonjësit të rendit publik” dhe “Shkatërrim i pronës”.
Ngjarja ndodhi gjatë një ndërhyrjeje të shërbimeve të Sektorit për Hetimin e Krimeve të DVP Dibër. Autoritetet thanë se tre vëllezërit kundërshtuan me forcë efektivët, duke shkaktuar edhe dëmtime materiale në një nga mjetet e policisë.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme ligjore.