Lajme

Shqiptarët përdorin jaht luksoz për kontrabandë emigrantësh drejt Britanisë, arrestohen 20 persona

Një operacion i Forcave Kufitare britanike ka zbuluar një rast të kontrabandimit të emigrantëve shqiptarë me një jaht luksoz. Anija me kapacitet për 23 pasagjerë besohet të ketë lundruar nga Brest, Francë, dhe u kap në Kanalin Anglez gjatë rrugës për në Newquay, në Bregun Jugor të Britanisë së Madhe.

Gjatë kontrollit të jahtit, oficerët gjetën 20 pasagjerë të fshehur poshtë kuvertës. Të gjithë mendohet se janë shtetas shqiptarë – 19 burra dhe një grua – të cilët janë arrestuar dhe po mbahen në pritje të dëbimit nga Britania, sipas një zëdhënësi të Zyrës së Brendshme britanike.

Lidhur me këtë ngjarje, shtetasja shqiptare Bleda Bega, 44 vjeçe, është akuzuar për “lehtësim të hyrjes së paligjshme” në territorin britanik. Ndërkohë, dy shqiptarë të tjerë, Florjand Lika, 30 vjeç dhe Romeo Zani, 32 vjeç, përballen me akuza për shkelje të urdhrave të dëbimit.

Të dy këta të fundit janë paraqitur më 15 prill në Gjykatën e Magjistraturës Bodmin, ku janë deklaruar fajtorë. Ata janë dërguar në paraburgim dhe pritet të dalin për dënim në Truro Crown Court muajin e ardhshëm.

Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te rrugët e reja të kontrabandës dhe përfshirja e shqiptarëve në rrjete të organizuara të trafikut të qenieve njerëzore drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button