Durrësi feston Pashkën me atmosferë feste dhe lutjeje

Qyteti bregdetar i Durrësit u mbush këtë të dielë me atmosferë feste dhe lutjeje, ku besimtarët ortodoksë, katolikë dhe ungjillorë kremtuan së bashku Pashkën, një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe simbolike të fesë së krishterë.
Në të gjitha kishat e qytetit, u zhvilluan meshë të shenjta dhe rite fetare që kujtojnë ringjalljen e Jezu Krishtit, pas kryqëzimit. Kjo ngjarje e shenjtë simbolizon fitoren e jetës mbi vdekjen, shpresën dhe mëshirën hyjnore për mbarë njerëzimin.
Besimtarët ortodoksë morën pjesë në meshen qendrore të mbajtur në kishën “Apostull Pavli dhe Shën Asti”, ndërsa kremtime të ngjashme u zhvilluan edhe në kishat katolike dhe ungjillore të qytetit. Atmosfera ishte e mbushur me devocion, qetësi shpirtërore dhe përkushtim ndaj besimit, duke reflektuar rëndësinë e kësaj ngjarje të shenjtë për të gjithë komunitetin besimtar.