KryesoreLajme
Kryesore

Altin Goxhaj kallëzon në SPAK Edi Ramën dhe Bledi Klosin për shkelje të fshehtësisë së votës së diasporës

Avokati Altin Goxhaj, kandidat i koalicionit PD – ASHM në Tiranë ka kallëzuar penalisht në SPAK kryeministrin Edi Rama,dhe Bledi Klosin, deputet i Partisë Socialiste të Shqipërisë e persona të tjerë në strukturën e PS-së për shkelje të fshehtësisë së votës së diasporës.

Objekti i kallëzimit është: Kryerja e veprës penale të “Shkeljes së fshehtësisë së votimit” sipas Nenit 327 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, dhe veprime të tjera që bien ndesh me ligjin zgjedhor shqiptar, të cilat kualifikohen si krime zgjedhore. Kallëzimi penal bëhet pas deklaratës së sekretarit të përgjithshëm të PS, Blendi Klosi se vota e parë e diasporës ishte për PS.

“Edi Rama, si Kryeministër dhe Kryetar i PS, ka përgjegjësi direkte politike dhe morale për funksionimin e strukturave të patronazhit të cilat janë përdorur për të gjurmuar dhe kontrolluar votën e qytetarëve. Ai vetë ka publikuar në faqen e tij zyrtare në FB duke inkurajuar dhe promovuar f jalën e Blendi Klosit në faqen e tij në Facebook sipas provës bashkëngjitur

Bledi Klosi, si deputet, ka bërë deklarime publike që vërtetojnë dijeninë dhe shkeljen e fshehtësisë së votës, në kundërshtim me Kodin Penal dhe Kodin Zgjedhor është shprehur si më sipër. Personat e tjerë të paidentifikuar, të angazhuar në operacione patronazhimi, kanë vepruar si pjesë e një strukture të organizuar që synon kontrollin dhe dokumentimin e votës së qytetarëve” evidentohet në kallëzim penal.

Goxhaj i kërkon SPAK të hetohet rrjeti i patronazhistëve që ka përpunuar dhe shpërndarë të dhëna mbi preferencat e votimit nga diaspora. Gjithashtu i kërkon të verifikohen urdhrat, mesazhet dhe korrespondencat zyrtare e jozyrtare mbi fletëvotimet e dërguara dhe kthimet me foto si “provë bindjeje politike

“Veprimi penal konsiston në ndërhyrje të drejtpërdrejtë ose indirekte për të zbuluar ose bërë publike mënyrën se si një qytetar ka votuar, në kundërshtim me të drejtën themelore të fshehtësisë së votës. Në këtë rast, deklaratat publike të Bledi Klosit dhe referimet nga Edi Rama lidhur me preferencat e votuesve në diasporë, si dhe nxjerrja e fotove të qytetarëve që kanë marrë zarfat e KQZ-së, janë elementë të dukshëm të shkeljes së këtij detyrimi ligjor. Këto veprime krijojnë një klimë frikësimi dhe kontrolli të votës së lirë dhe të fshehtë

Veprimi është kryer me dashje direkte, pasi deklaratat dhe publikimet janë bërë me vetëdije të plotë, me qëllim intimidimin e votuesve dhe kontrollin e zgjedhjeve. Duke qenë funksionarë të lartë shtetërorë dhe politikë, të kallëzuarit kanë pasur njohuri të plotë të detyrimeve ligjore për të garantuar fshehtësinë e votimit dhe kanë vepruar në kundërshtim të hapur me to” thuhet në kallëzimin e Goxhajt.

Sipas udhëzimit”

Goxhaj thotë se punonjës të administratës dhe të afërmit e tyre janë urdhëruar të dërgojnë foto të fletëve të votimit si provë për votën e dhënë për Partinë Socialiste. Këto veprime, sipas kallëzimit, përbëjnë një strukturë të organizuar për deformimin e vullnetit të votuesve prandaj u kërkon SPAK të hetojë rrjetin e patronazhistëve dhe të verifikojë komunikimet zyrtare dhe jozyrtare që lidhen me manipulimin e votës nga diaspora.

Unë, Altin Goxhaj, në cilësinë e Kryetarit të Partisë Aleanca Konservatore për Shqipërinë, paraqes këtë kallëzim penal kundër Kryeministrit Edi Rama, deputetit Bledi Klosi dhe personave të tjerë të paidentifikuar të lidhur me strukturat e Partisë Socialiste, të cilët kanë deklaruar publikisht ose në rrugë operative se:

1. Janë në dijeni të preferencës së votimit të qytetarëve shqiptarë që votojnë nga jashtë vendit nëpërmjet fletës së votimit të dërguar me postë, duke deklaruar publikisht se vota e parë e ardhur nga diaspora në qarkun e Dibrës ishte për Partinë Socialiste.
2. Kanë publikuar dhe shpërndarë foto të qytetarëve nga diaspora të cilëve u janë dërguar zarfat e KQZ-së, të cilat tregojnë haptas presion dhe intimidim të komunitetit shqiptar në emigracion nisur nga angazhimi i deritanishëm i patronazhimit dhe të dhënave publike që punonjësit e administratës kanë qenë të detyruar të paraqesin pranë aktivistëve të PS në administratën publike formularë me të dhënat e të afërmeve që jetojnë jashtë me qëllim regjistrimin e tyre si votues nga jashtë për Zgjedhjet e 11 Majit 2025.

3. Sipas informacioneve të siguruara nga mediat, dyshohet se punonjësve të administratës publike dhe të afërmit të tyre u është kërkuar të dërgojnë foto të fletës së votimit të votuar për PS si provë që kanë votuar “sipas udhëzimit”, duke shkelur fshehtësinë e votës dhe duke përmbushur elementët e një veprimtarie të organizuar në funksion të deformimit të vullnetit të votuesit.

Çfarë parashikon neni 327 i Kodit Penal?

“Shkelja e fshehtësisë së votimit”:

“Shkelja e rregullave që garantojnë fshehtësinë e votimit nga ana e zgjedhësit, nëpërmjet fotografimit të fletës së votimit, ose filmimit të saj, ose dokumentimit me çdo mjet dhe formë të mënyrës sesi ka votuar, shfaqjes së tyre tek persona të tjerë, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga tre muaj deri në tre vjet.

Shkelja e rregullave që garantojnë fshehtësinë e votimit nga ana e personave të ngarkuar me zgjedhjet, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet. Nxitja me ose pa shpërblim, ose detyrimi i zgjedhësit për të shkelur rregullat që garantojnë fshehtësinë e votimit, sipas paragrafit të parë të këtij neni, përbën vepër penale dhe dënohet nga një vit deri në katër vjet me burgim.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button