Kosova

Konstituohet legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës pas dy dështimeve

Pas dy tentimeve të pasuksesshme, këtë të shtunë është konstituuar legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës. Seanca u mbajt pas një dakordimi ndërmjet partive politike dhe ndryshimeve të fundit në skenën politike.

Me 119 vota për, Kuvendi ka miratuar raportin për verifikimin e mandatave të deputetëve të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Pas këtij votimi, deputetët e rinj janë betuar dhe kanë marrë zyrtarisht mandatin e tyre.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) kanë konfirmuar kalimin e raportit në Komision, duke theksuar ndikimin e përmendjes së zgjedhjeve të reja në qëndrimet e subjekteve opozitare. Ilir Kërçeli nga LVV tha se, “Siç duket, përmendja e zgjedhjeve ka ndikuar”. Ndërsa kolegu i tij, Dimal Basha, akuzoi opozitën për një “kauzë të rrejshme”.

Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, deklaroi se gjendja ka ndryshuar pasi kërkesa e partisë së tij për dorëheqjen e ministrave dhe kryeministrit është pranuar. “Të gjithë ministrat dhe Kurti kanë dhënë dorëheqje individualisht. Ka një ndryshim të gjendjes, dhe na krijohet mundësia të votohet raporti për mandate”, tha ai.

Seanca e parë konstituive ishte mbajtur më 15 prill, por kishte dështuar për shkak të mospajtimeve për raportin e Komisionit për Verifikimin e Mandateve. E njëjta situatë ishte përsëritur edhe në seancën e dytë më 17 prill. Vetëm në përpjekjen e tretë, më 19 prill, Kuvendi arriti të përmbyllë me sukses konstituimin e tij.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button