Lajme

Dëshmi e re ndryshon hetimet për vrasjen e Egli Progës, Gjykata e Korçës lë në burg Andi Shkulakun

Gjykata e Korçës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Andi Shkulakun, i cili u arrestua tre ditë më parë me urdhër të Prokurorisë së Korçës, nën akuzën e moskallëzimit të krimit në lidhje me ngjarjen tragjike të ndodhur më 10 gusht 2024, ku humbi jetën 42-vjeçari Egli Proga.

Vendimi për arrestimin e Shkulakut erdhi pas administrimit të një dëshmie të re, që ka sjellë zhvillime të rëndësishme në hetim. Sipas dëshmisë, viktima është dhunuar fillimisht brenda ambienteve të një lokali nga shtetasi Leonidha Guçe, ndërsa më pas është goditur jashtë lokalit nga Denis Meçe. Ky detaj i ri rëndon më tej pozitën e Guçes dhe mund të ndikojë ndjeshëm në ecurinë e çështjes.

Andi Shkulaku dyshohet se ka qenë prezent në vendngjarje dhe ka parë gjithë ngjarjen, por nuk ka raportuar asgjë në lidhje me të. Ai më pas është larguar nga vendi i krimit, çka ka çuar në arrestimin e tij.

Pavarësisht se prokuroria kishte mbyllur hetimet dhe kishte dërguar çështjen për gjykim, dëshmia e re ka detyruar autoritetet të rihapin hetimin. Dosja e re pritet të bashkohet me dosjen ekzistuese, duke sjellë një zhvillim të ri në zbardhjen e plotë të vrasjes së Egli Progës.

Ndërkohë, Denis Meçe përballet me akuzën e vrasjes me dashje, ndërsa Leonidha Guçe, Voltan Shkulaku dhe Arjan Manellari akuzohen për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Ngjarja mbetet ende në fokus të hetimeve, ndërsa drejtësia pritet të hedhë dritë mbi rrethanat e plota të krimit të rëndë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button