Berisha akuzon drejtësinë për bllokim të hetimeve mbi vilat në Surrel: “Rama nuk shpëton dot, toka është aty”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit lidhur me dosjen e vilave në Surrel, duke akuzuar drejtësinë për përpjekje për të mbyllur çështjen dhe për të mbrojtur kryeministrin Edi Rama. Në një takim me qytetarët në tregun e Krujës, Berisha denoncoi atë që e cilësoi si një skandal të thellë korrupsioni dhe mosveprim të institucioneve të drejtësisë.
Sipas Berishës, një gjykatës ka urdhëruar hetimin e mëtejshëm të çështjes, ndërsa pretendon se SPAK dhe kreu i tij, Altin Dumani, po përpiqen ta arkivojnë dosjen për të shmangur dënimin e Ramës dhe të përfshirëve të tjerë. Ai e cilësoi këtë një përpjekje të dështuar, duke thënë se “toka është aty dhe nuk fshihet”.
Duke iu referuar vilës në Surrel, Berisha deklaroi se ajo është ndërtuar në kundërshtim me ligjin, në një tokë që është përvetësuar në mënyrë të paligjshme, ndërkohë që vetë Rama kishte të deklaruar vetëm 3,800 euro. Ai krahasoi sarajet e kryeministrit me ato të diktatorit Enver Hoxha, duke theksuar se këto të fundit ishin regjistruar si pronë shtetërore, ndryshe nga ajo që ndodhi me Ramën.
Gjatë fjalës së tij, Berisha vuri theksin edhe te gjendja alarmante e sistemit shëndetësor në vend. Duke iu referuar të dhënave të INSTAT, ai theksoi se qytetarët shqiptarë shpenzojnë 820 milionë euro nga xhepi për kujdes shëndetësor – dy herë më shumë sesa për bukën. “Pensionistët nuk përballojnë dot ilaçet me pensionet aktuale”, u shpreh ai.
Berisha premtoi ndryshime rrënjësore në këtë sektor, duke theksuar se nëse Partia Demokratike vjen në pushtet, “asnjë ilaç nuk do shitet në Shqipëri nëse nuk shitet në dy vende të BE-së” dhe se lista e rimbursimit do bazohet në modelin italian.
“Situata është emergjente. Shëndeti nuk do jetë më luks,” përfundoi Berisha, duke akuzuar qeverinë për krime kundër njerëzimit dhe për mungesë të vullnetit për të ndihmuar qytetarët në nevojë.