Kosova

Vetëvendosje arrin marrëveshje me Nismën për formimin e Qeverisë së re

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit në Kosovë, ka arritur një marrëveshje, ndonëse jo të shkruar, me Nismën Socialdemokrate për formimin e Qeverisë së re. Lajmin e bëri të ditur deputeti i zgjedhur i LVV-së, Haxhi Avdyli, në një intervistë për emisionin “Konfront” në KTV.

Avdyli tha se nuk është i autorizuar të zbulojë detaje të marrëveshjes, por theksoi se bisedimet me Nismën kanë qenë shumë pozitive dhe tashmë Vetëvendosje ka siguruar 61 vota në Kuvend – minimumi i nevojshëm për formimin e Qeverisë.

“Bisedimet janë shumë pozitive. S’kemi një marrëveshje të shkruar, por kjo do të bëhet publike shumë shpejt. Nuk jam i autorizuar të flas më shumë”, deklaroi Avdyli.

Ndërkohë, Nisma, e cila garoi në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nuk ka komentuar ende për marrëveshjen e mundshme me LVV-në.

Procesi i formimit të institucioneve të reja ka mbetur i bllokuar për më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve, me dy tentativa të pasuksesshme për konstituimin e Kuvendit, për shkak të mosmarrëveshjeve procedurale mes partive.

PDK, LDK dhe AAK po insistojnë që ministrat e Qeverisë në detyrë që janë zgjedhur deputetë të japin dorëheqje, përndryshe nuk do të votojnë për verifikimin e mandateve – një hap kyç për vijimin e konstituimit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka cilësuar të panevojshëm një veprim të tillë, duke kujtuar se ekzekutivi është në dorëheqje që nga 23 marsi.

Partitë opozitare kanë akuzuar LVV-në për zvarritje të seancave parlamentare, me qëllim të “blerjes së kohës për pazare politike”, meqë, sipas tyre, ajo nuk i ka votat për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe të Qeverisë.

Vetëvendosje fitoi 48 ulëse në Kuvend, ndërsa për formimin e Qeverisë i duhen 61. Me tri votat e Nismës dhe dhjetë të pakicave joserbe, LVV-ja arrin këtë numër. Avdyli nënvizoi se qëllimi është që numrat të shtohen edhe më shumë.

“Nuk i kemi 63 apo 65, por i kemi 61 dhe synojmë t’i rrisim”, tha ai.

Kurti ka zhvilluar takime edhe me përfaqësuesit e 10 partive të pakicave joserbe, por ende nuk është e qartë nëse i ka të gjitha votat e tyre.

Seanca e ndërprerë e Kuvendit pritet të vazhdojë të shtunën, më 19 prill, ku mbetet për t’u parë nëse do të arrihet ndonjë përparim në formimin e institucioneve të reja.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button