Arrest me burg për përplasjen me agjentët e BKH-së në Fier

Gjykata e Fierit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për tre personat e përfshirë në incidentin e ndodhur disa ditë më parë në Fier, ku agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) u përplasën fizikisht me afërm të ish-kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj.
Vendimi u dha nga gjyqtari Alfred Ikonomi, pas shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga prokurori Petrit Vukaj, i cili zëvendësoi prokuroren Gerta Dreni. Në seancë ishte i pranishëm edhe avokati mbrojtës Niko Bega.
Të arrestuarit janë Ledjan Kapllanaj, Klaudio Kapllanaj dhe Gerald Kollçaku. Ata akuzohen për kundërshtim të punonjësve të policisë me dhunë.
Të pandehurit kanë mohuar të kenë ditur se personat që i ndaluan ishin agjentë të BKH-së, duke deklaruar se ata kanë qenë të veshur civilisht dhe nuk janë prezantuar si oficerë të ligjit.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta, ndërkohë që pritet vijimi i hetimeve për të sqaruar rrethanat e plota të incidentit.