Serena Williams kritikon ashpër ndëshkimin për doping ndaj Jannik Sinner, por mbetet mbështetje e madhe për të

Edhe pse Serena Williams është tërhequr nga tenisi, ajo nuk e ka harruar sportin që e bëri legjendë — dhe një nga lojtarët e saj të preferuar aktualisht është pikërisht Jannik Sinner. Por kur vjen puna te çështja e dopingut që ka përfshirë tenistin italian, kampionia amerikane nuk i kursen fjalët e forta.
“Nëse kjo do të kishte ndodhur me mua, do më kishin dhënë 20 vite pezullim. Më kanë përulur aq shumë… Nuk dua t’i prish karrierën askujt, por të jemi të sinqertë, do më kishin hequr edhe titujt e Grand Slam-it”, u shpreh Serena në një intervistë për revistën ‘Time’.
Megjithatë, pavarësisht kësaj deklarate, Williams mbetet një fanse e madhe e Sinner: “Ka një personalitet të mrekullueshëm. E dua atë djalë, e dua këtë sport. Ai është fantastik për tenisin. Tenisi për meshkuj ka nevojë për të”.
Ndërkohë, çështja clostebol, substancë për të cilën Sinner u pezullua përkohësisht, vijon të krijojë debat, edhe pse sanksioni ndaj tij është drejt fundit. Megjithatë, duket se ky incident do ta shoqërojë numrin një të renditjes botërore gjatë gjithë karrierës së tij.