Lajme

Berisha: Edi Rama, i vetmi kryeministër në historinë e Europës që i është anuluar darka zyrtare

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si “armik të pluralizmit” dhe një figurë të izoluar ndërkombëtarisht.

Gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë e FRPD në Tiranë, ku ishte i pranishëm edhe strategu amerikan i fushatës së PD, Chris LaCivita, Berisha u ndal tek qëndrimet e institucioneve europiane ndaj situatës në Shqipëri, duke deklaruar se Rama është i vetmi kryeministër në historinë e Europës që i është anuluar një darkë zyrtare në Këshillin e Europës.

“Darka zyrtare e planifikuar për nder të tij në Këshillin e Europës u anulua. Një akt që nuk kishte ndodhur më parë në historinë e atij institucioni. Dhe kjo për shkak të sjelljes së tij, për shkak se ai nuk e përmbajti veten dhe demonstroi se cili ishte,” u shpreh Berisha.

Sipas tij, anulimi i darkës u pasua nga një valë kërcënimesh ndaj drejtuesve të Këshillit të Europës, që dyshohet se kanë ardhur nga grupe kriminale shqiptare në Europë.

Berisha e ndau Europën në dy pjesë: një që censurohet dhe një tjetër që manipulohet nga Rama. Ai theksoi se Europa e “censuruar” ka reaguar më fuqishëm se kurrë për Shqipërinë, duke e quajtur këtë javë si një ndër më të rëndësishmet në 32 vitet e fundit.

“Në Komisionin e Punëve të Jashtme dhe të Sigurisë të Parlamentit Europian, u diskutua situata dramatike në Shqipëri dhe u paraqit Edi Rama si një narkodiktator që nuk respekton parlamentin, vendimet e gjykatës kushtetuese dhe votën e lirë,” shtoi ai.

Ndër të tjera, Berisha kritikoi edhe vendimin për mbylljen e rrjetit TikTok në Shqipëri, duke e krahasuar me veprimet e regjimeve autoritare. Ai risolli në vëmendje një episod nga e kaluara e familjes Rama, duke akuzuar babanë e kryeministrit për firmosjen e dënimit me vdekje të një poeti disident në vitin 1988.

“Edi Rama sot nuk vret poetë, por ‘var’ në litar TikTok-un, sepse të rinjtë e përdorin për ta kritikuar dhe tallur,” përfundoi Berisha.

Sipas tij, “fasada” e Edi Ramës ka marrë fund në dy prej institucioneve më të rëndësishme të demokracisë europiane, duke e bërë atë një figurë gjithnjë e më të izoluar në arenën ndërkombëtare.

 

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button