Gjykata e Posaçme çon për gjykim dosjen e dytë ndaj Jorgo Goros, akuzohet për shpërdorim detyre

Gjykata e Posaçme ka vendosur kalimin për gjykim të dosjes së dytë në ngarkim të ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, i cili akuzohet për shpërdorim detyre në më shumë se një rast, kryer në bashkëpunim. Sipas gazetarit të Syri TV, Fatjon Gjinaj, gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorit të SPAK, Elvin Gokaj, për miratimin e akuzës dhe kalimin e saj për gjykim, si dhe kërkesën e mbrojtjes për procedim të shkurtuar. Seanca gjyqësore në themel pritet të zhvillohet më 20 maj.
Kallëzimi penal ndaj Goros është bërë nga Fredi Beleri, me pretendimin se në vitin 2016, Goro i ka dhuruar pasardhësit të komanduar në krye të Bashkisë, Arqile Bollanos, një sipërfaqe prej 4,263 metrash katrorë tokë në zonat e njohura si “Vllatorja” dhe “Moskato”, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 1 milion eurosh.
Përveç Goros, të pandehur në këtë çështje janë marrë edhe Vasillaq Strakosha dhe Jerasimo Bashi, ish-drejtorë të Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Bashkisë Himarë. Ndaj Bashit çështja është ndarë, pasi masa e sigurisë ndaj tij nuk është ekzekutuar ende.
Fillimisht, hetimet për këtë rast janë kryer nga prokurori i Vlorës, Arjan Xhaferaj, për t’u transferuar më pas në SPAK.
Kujtojmë se një muaj më parë, Gjykata e Posaçme dënoi Jorgo Goron me 3 vite e 1 muaj burg dhe i hoqi të drejtën për të ushtruar funksione publike për 5 vite, për shpërdorim detyre dhe mosdeklarim pasurie në dy raste të veçanta. Po ashtu, u konfiskuan mbi 10 mijë metra katrorë tokë, që ishin përfituar nga Artan Gaçi me statusin e investitorit strategjik.
Për çështjen e konfiskimit të kësaj prone, këtë të mërkurë ishte parashikuar zhvillimi i një seance për kundërshtimin e masës nga ana e Gaçit, por seanca u shty për shkak të angazhimeve të tjera të prokurorit të çështjes.