Hoxhaj: Fundi i eksperimentit 14-vjeçar të Vuçiqit, të cilit Evropa i besoi dhe Ballkani ia pagoi çmimin

Ish-kryediplomati Enver Hoxhaj e ka cilësuar humbjen e Aleksandër Vuçiqit si lajmin më të mirë për Serbinë dhe Ballkanin, duke e përshkruar atë si fundin e një eksperimenti 14-vjeçar që, sipas tij, solli autokraci, izolim dhe destabilizim të rajonit.
Në një reagim në Facebook, Hoxhaj ka kritikuar edhe Bashkimin Evropian për mbështetjen dhe besimin që i dha Vuçiqit gjatë viteve në pushtet.
“Duke qenë atëherë vetë ministër i jashtëm, e di nga dora e parë sesi BE-ja pa asnjë rezervë e mbështeti dhe me naivitet i besoi”, ka shkruar Hoxhaj.
Sipas tij, Vuçiq përdori premtimin për integrimin evropian të Serbisë për të siguruar mbështetjen e Brukselit dhe Washingtonit, ndërsa e shndërroi vendin në platformë të ndikimit rus dhe kinez në Ballkan dhe Evropë.
“Vuçiq premtoi stabilitet, por solli autokraci dhe premtoi Evropë, por solli izolim”, ka theksuar ai.
Duke folur për Kosovën, Hoxhaj ka deklaruar se politika e Vuçiqit synonte mbajtjen gjallë të konfliktit dhe destabilizimin e vendit e të rajonit.
Ai e ka akuzuar Vuçiqin për nxitjen e krizave në veri të Kosovës dhe për moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel.
Hoxhaj ka vlerësuar se, duke tentuar ta mbante peng Kosovën, Vuçiq në fakt mbajti peng Serbinë dhe rrugëtimin e saj evropian. Ai ka kritikuar gjithashtu mbështetjen për shkëputjen e Republikës Sërpska dhe ndërhyrjet në Mal të Zi, duke i lidhur këto me doktrinën e “Botës Serbe”.
Megjithatë, Hoxhaj ka paralajmëruar se largimi i Vuçiqit nuk garanton ndryshim të orientimit politik të Serbisë. Sipas tij, shumë do të varet nga veprimet e fituesve të zgjedhjeve dhe nga qasja e BE-së dhe SHBA-së ndaj tyre.
Reagimin e ka përmbyllur me një reflektim personal mbi pushtetin dhe trashëgiminë politike, duke theksuar se ajo që mbetet është çfarë i lë një udhëheqës vendit kur largohet.



