Erisa Xhixho reagon ashpër për krizën e ujit në Tiranë: Qytetarët po pijnë ujë të ndotur, ndërsa qeveria mashtron me premtime boshe

Erisa Xhixho ka reaguar me tone të forta ndaj situatës së rënduar me ujin e pijshëm në zonat e Komunës së Parisit dhe Selitës në Tiranë, ku çarjet në rrjetin e tubacioneve kanë shkaktuar ndotje të ujit dhe dëmtime në banesa. Sipas saj, qytetarët janë lënë në errësirë totale, pa asnjë njoftim nga autoritetet, ndërkohë që kanë konsumuar ujë të papërdorshëm për disa ditë me radhë.
Në deklaratën e saj, Xhixho thekson se në Selitë lagështira ka dëmtuar banesa të tëra, madje edhe mure rrethuese, por institucionet kanë munguar totalisht në dhënien e përgjegjësive. Ajo denoncon gjithashtu çmimin e lartë të ujit që qytetarët paguajnë që prej vitit 2018, pa marrë në këmbim furnizim të pandërprerë apo cilësi të garantuar.
“Qytetarët e Tiranës e paguajnë ujin 50% më shtrenjtë, por sërish detyrohen të blejnë ujë të pijshëm. Ndërkohë, investimet mungojnë, dhe fondet vidhen përmes aferave korruptive si inceneratorët apo kompania 5D,” tha Xhixho.
Ajo akuzon qeverinë dhe bashkinë për keqmenaxhim, duke kritikuar edhe përfshirjen e administratës publike në fushata politike, në vend që të shërbejë qytetarëve. Xhixho kujton se premtimi për furnizim 24 orë me ujë është bërë që në vitin 2015, por qytetarët sot përballen me ujë të ndotur apo mungesë të tij.
“Qeveria mashtron me premtime për pasaportën europiane, ndërsa realiteti është varfëri dhe ujë i ndotur. Shqiptarët nuk mund të mashtrohen më,” përfundon ajo.
Xhixho bëri thirrje për mbështetje ndaj programit të Aleancës për Shqipërinë Madhështore në zgjedhjet e 11 majit, si një mënyrë për t’i dhënë fund mashtrimeve dhe keqqeverisjes.