Lajme

Rama: Shteti do të financojë kompanitë teknologjike – Bashkëpunim me Mira Muratin për BE-në dhe luftën kundër korrupsionit

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, vizitoi sot kompaninë e suksesshme në fushën e teknologjisë së informacionit, RITECH. Gjatë takimit me stafin, Rama theksoi rëndësinë e përfshirjes aktive të shtetit në mbështetjen financiare të kompanive teknologjike, jo vetëm si mbështetje, por edhe si investim strategjik për të ardhmen.

“Ka ardhur koha që të hyjmë nëpër kompani, që shteti të financojë dhe të përfitojë. Ashtu siç fola me Mira Muratin, i thashë: a është e mundur të hyjmë edhe ne? Më tha patjetër, madje më tha se tre shtete të tjera e kanë bërë tashmë një ofertë të tillë,” tha Rama, duke iu referuar bisedës me ish-drejtuesen shqiptare të OpenAI, Mira Murati.

Ai nënvizoi se startup-et, veçanërisht në fazat e hershme të zhvillimit, kanë nevojë për mbështetje konkrete për të materializuar idetë e tyre inovatore.

Rama ndau gjithashtu detaje nga diskutimi me Muratin, ku kërkoi ndihmën e saj për të adresuar dy sfida madhore për Shqipërinë: përshpejtimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit.

“I thashë, do ta ndihmosh Shqipërinë të futet në BE? Ajo kujtoi se po bëj humor, por e kisha seriozisht. Mund të na ndihmosh që të përshpejtojmë përkthimin dhe përafrimin e 250 mijë faqeve të legjislacionit. E dyta, i kërkova ndihmë për të luftuar korrupsionin, veçanërisht në prokurime,” u shpreh Rama, duke theksuar nevojën për sisteme më të automatizuara dhe efikase në këtë drejtim.

Kryeministri ritheksoi se prioritet i qeverisë mbetet investimi në sektorë që gjenerojnë zhvillim të qëndrueshëm, me teknologjinë si një nga shtyllat kryesore.

 

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button