“Të lutem kthehu”, Osmani publikon mesazhet e qytetarëve të cilët e bindën të kthehet në LDK

Ish-presidentja Vjosa Osmani, ka publikuar një video në faqen e saj në Facebook, ku ka përmbledhur disa mesazhe të qytetarëve të cilët i kanë kërkuar kthimin e saj në LDK.
Ajo tha se ka shëtitur në mbarë Kosovën për muaj të tërë, dhe ka marrë porosi të ndryshme.
“Për muaj të tërë kam ecur nëpër çdo cep të Kosovës, jam mirëpritur në shtëpitë tuaja, kam dëgjuar hallet tuaja, kam parë zhgënjimin në sytë e njerëzve të ndershëm, por mbi të gjitha, kam parë një gjë që ende nuk është shuar: shpresën. Dhe kudo, në çdo fshat e qytet, në çdo tavolinë e çdo shesh, ju më folët me një zë”, tha Osmani, teksa publikoi mesazhet e qytetarëve që i bënin thirrje për kthim në LDK:
“Kthehu n’shpi tanë”, “Me u kthy në LDK”, “Të lutem kthehu”, ishin disa prej mesazheve të qytetarëve, ndërsa Osmani pamje ka publikuar edhe nga rezidenca e Presidentit Historik, Ibrahim Rugova, ku ish-Zonja e Parë, Fane Rugova i thotë: “Keni bërë një punë të shkëlqyeshme, sidomos në arenën ndërkombëtare”.



