Edon Zhegrova në vështirësi te Juventusi, rrezik për Kosovën para ndeshjeve vendimtare
Ylli i kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova, po kalon një periudhë të vështirë te Juventusi, pas transferimit të bujshëm nga Lille në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës. Sulmuesi kosovar iu bashkua “Zonjës së Vjetër” për një shumë afër 20 milionë eurosh, përfshirë bonuset, por deri më tani nuk ka arritur të sigurojë minuta të mjaftueshme në fushë.
Problemet e Zhegrovës nuk lidhen me aftësitë e tij, por me formën fizike. Ai nuk kishte luajtur asnjë minutë për tetë muaj, që nga lëndimi i pësuar më 14 dhjetor 2024 në ndeshjen Marseille 1-1 Lille. Fillimisht dëmtimi dukej i lehtë, por testimet mjekësore zbuluan një lëndim më serioz që e detyroi të humbte pjesën tjetër të sezonit.
Zhegrova u rikthye më 16 shtator 2025, kur debutoi me Juventusin për vetëm katër minuta në barazimin spektakolar 4-4 ndaj Borussias së Dortmundit në Ligën e Kampionëve. Më pas luajti tetë minuta ndaj Veronas dhe 27 minuta kundër Atalantës – që mbeten minutat e tij më të gjata deri tani me fanellën bardhezi.
Në ndeshjet pasuese ndaj Villarrealit dhe Milanit, Zhegrova qëndroi në stol pa u aktivizuar, ndërsa më vonë mungoi plotësisht për shkak të një tjetër lëndimi. Edhe pse u rikthye, trajnerët Igor Tudor dhe më pas Massimo Brambilla nuk i dhanë hapësirë.
Sipas raportimeve të Football Italia, edhe Luciano Spalletti, trajneri i ri i Juventusit, nuk pritet ta aktivizojë Zhegrovën nga fillimi në sfidën e sotme ndaj Cremoneses, duke i dhënë përparësi portugezit Francisco Conceição.
Mungesa e minutave për Zhegrovën përbën lajm shqetësues për kombëtaren e Kosovës, që këtë muaj do të luajë dy ndeshje vendimtare në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026 – më 15 nëntor ndaj Sllovenisë në transfertë dhe më 18 nëntor ndaj Zvicrës në Prishtinë.
Aktualisht, Kosova renditet e dyta në Grupin B me 7 pikë në 4 ndeshje, pas Zvicrës që kryeson me 10 pikë, ndërsa Sllovenia ka 3 pikë dhe Suedia vetëm 1 pikë.
Nëse forma e Zhegrovës nuk përmirësohet, kjo mund të ndikojë ndjeshëm në fuqinë ofensive të “Dardanëve” në përballjet përmbyllëse të ciklit kualifikues.



