Tottenham në krizë të thellë para ndeshjes me Newcastle: mungojnë plot 10 lojtarë!

Ngjarjet e pazakonta në botën e futbollit nuk ndalen as në Angli, vendin ku ky sport konsiderohet si “perfeksion”.
Ekipi elitar i Premierligës, Tottenham Hotspur, ndodhet në një situatë të vështirë përpara përballjes së sontme ndaj Newcastle United, në kuadër të raundit të katërt të Carabao Cup, raporton Gazeta Express.
Skuadra londineze po përballet me mungesa të shumta, pasi trajneri do ta ketë në dispozicion vetëm 15 futbollistë për ndeshjen që zhvillohet në “St James’ Park” nga ora 21:00.
Tottenhami do të jetë pa këta lojtarë: Romero, Udogie, Solanke, Davies, Dragusin, Kulusevski, Bissouma, Takai, Maddison dhe së fundmi edhe Archie Gray, i cili është dëmtuar rishtazi.
Mesfushori 19-vjeçar Gray pritet të mungojë të paktën katër javë për shkak të një dëmtimi muskulor. Ndërkohë, kapiteni Romero ende nuk është rikuperuar plotësisht nga një lëndim, ndërsa Solanke mungon për shkak të një problemi në kyçin e këmbës. Edhe Udogie, mbrojtësi i majtë, ka humbur tri ndeshjet e fundit për shkak të një dëmtimi në gju.
Në konferencën për shtyp, trajneri Thomas Frank konfirmoi se tre nga lojtarët janë kthyer në fazën e ushtrimeve, por nuk do të jenë gati për sfidën e sontme.
Tottenhami, i përballur me një emergjencë të plotë, do të kërkojë të befasojë Newcastle-n në një ndeshje që pritet të jetë tejet e vështirë për “Spurs”.



