Sport

Nazmi Gripshi fiton “Këpucën e Artë” në Kazakistan: sezoni më i mirë i karrierës për sulmuesin shqiptar

Nazmi Gripshi po kalon momentin më të mirë të karrierës së tij. Sulmuesi shqiptar, i cili është ftuar së fundmi nga trajneri Silvinjo në Kombëtaren e Shqipërisë për ndeshjet ndaj Serbisë dhe Jordanisë, është shpallur shënuesi më i mirë i Premier Ligës së Kazakistanit, duke fituar “Këpucën e Artë”.

Gripshi e mbylli sezonin me 16 gola në 26 ndeshje për skuadrën e tij, Astana, duke lënë pas sulmuesin e Kairatit, Satpajev, me dy gola më pak. Krahas realizimeve, 28-vjeçari shkëlqeu edhe në lojën kolektive, duke regjistruar 7 asiste, vetëm një më pak se lideri i kësaj statistike, bashkëlojtari i tij Marin Tomasov (9 asiste).

Statistikat e Gripshit këtë sezon janë mbresëlënëse: ai kryesoi renditjen për gjuajtjet në kuadrat dhe për penalltitë e realizuara (8), duke u shndërruar në liderin e padiskutueshëm të Astanas.

Megjithatë, pavarësisht formës së jashtëzakonshme të tij, skuadra e Astanas nuk arriti të siguronte titullin kampion. Në ndeshjen vendimtare të javës së fundit kundër Kairatit, Astana kishte nevojë për fitore, por barazoi 1-1. Gripshi asistoi golin e avantazhit, por vendasit barazuan në pjesën e dytë, duke i lënë jashtë trofeut.

Në karrierën e tij, Nazmi Gripshi ka fituar titullin kampion në Shqipëri me Skënderbeun, ndërsa ka ngritur Kupën në Shqipëri, Kosovë dhe Kazakistan – një arritje që e vendos mes futbollistëve shqiptarë më të suksesshëm jashtë vendit.

Ky sezon konfirmon se Gripshi po përjeton kulmin e karrierës së tij dhe është gati për të dhënë kontribut të rëndësishëm edhe me fanellën kuqezi.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button