Superliga e Kosovës rikthehet me duele të forta këtë fundjavë – Prishtina synon fitoren e gjashtë radhazi

Superliga e Kosovës në futboll rikthehet këtë fundjavë me ndeshjet e xhiros së dhjetë, e cila pritet të sjellë përballje interesante në të gjitha fushat.
Tri ndeshje do të zhvillohen të shtunën, ndërsa dy të tjerat janë në program të dielën, shkruan “Gazeta Express”.
Në Suharekë, Ballkani do të jetë nikoqir i Gjilanit. “Portokallezinjtë” vijnë në këtë përballje pas fitores 2-0 ndaj Dukagjinit, ndërsa Gjilani triumfoi minimalisht ndaj Prishtinës së Re, në debutimin e trajnerit të ri, Debatik Curri. Takimi i parë mes dy skuadrave këtë sezon përfundoi me barazim 1-1.
Në Lipjan, Prishtina e Re pret Malishevën në stadiumin “Sami Kelmendi”. E promovuar këtë sezon në elitë, skuadra kryeqytetase ndodhet në vendin e fundit të tabelës, me vetëm shtatë pikë. Fitoren e vetme e ka siguruar pikërisht ndaj Malishevës në xhiron e parë, por që nga ajo kohë ka marrë vetëm katër pikë në tetë ndeshjet pasuese.
Malisheva, në anën tjetër, u mposht nga Drita javën e kaluar, duke pësuar humbjen e dytë radhazi dhe të pestën këtë sezon.
Ndërkaq, nën dritën e reflektorëve në stadiumin “Fadil Vokrri”, Prishtina do të përballet me Dukagjinin në njërën nga ndeshjet më interesante të javës. Kryeqytetasit, që kryesojnë tabelën me 22 pikë, janë në formë të shkëlqyer me pesë fitore radhazi – e fundit prej tyre ishte ajo dramatike 4-3 ndaj Drenicës në Skenderaj.
Dukagjini, i drejtuar nga Ismet Munishi, ka pësuar rënie të formës pas një fillimi të mirë të sezonit. Skuadra nga Klina nuk ka shënuar fitore në tri ndeshjet e fundit, duke marrë vetëm një barazim dhe dy humbje. Në takimin e parë të këtij sezoni, Prishtina kishte fituar 3-2 në Klinë.
Në renditjen aktuale, Prishtina mban vendin e parë me 22 pikë, katër më shumë se Ballkani në vendin e dytë. Dukagjini dhe Drita ndajnë vendet tre dhe katër me nga 14 pikë, ndërsa Gjilani dhe Ferizaj kanë nga dhjetë. Në fund të tabelës renditet Prishtina e Re me vetëm shtatë pikë.



