Mbrojtja e Fadil Fazliut: Akuzat e Prokurorisë Speciale bazohen në spekulime dhe prova të paqarta

Mbrojtja e Fadil Fazliut ka dorëzuar dosjen paraprake në rastin ku ai, së bashku me Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin, akuzohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Në dokumentin e dorëzuar, mbrojtja e Fazliut deklaron se Prokuroria Speciale (ZPS) po bazohet në spekulime, materiale të paqarta dhe fakte të paverifikueshme. Ata theksojnë se asnjë provë e besueshme apo e drejtpërdrejtë nuk tregon se Fazliu ka tentuar të marrë pjesë në ndonjë plan të përbashkët për të penguar drejtësinë apo ka ndihmuar në shkeljen e urdhrave gjyqësorë.
Mbrojtja gjithashtu kundërshton pretendimet e Prokurorisë lidhur me vizitën e Fazliut tek Thaçi më 2 korrik 2023. Sipas tyre, pjesët e cituara nga regjistrimet audio janë “pjesërisht të padallueshme” dhe “të pasigurta në transkriptim”, duke shtuar se ato përmbajnë biseda që nuk kanë lidhje me rastin.
“Këto materiale nuk provojnë, sipas standardit penal, se z. Fazliu ka tentuar të japë udhëzime, të bindë ose të ndërhyjë tek Dëshmitari 1,” thuhet në dosjen e mbrojtjes, ku shtohet se Prokuroria ka ngritur pretendime spekulative mbi gjendjen mendore dhe sjelljen e mëvonshme të Fazliut.
Në dokument përmendet edhe dëshmia e dëshmitarit të njohur si “Remi”, i cili, sipas mbrojtjes, ka deklaruar qartë se askush nuk ka ushtruar ndikim mbi të. Kjo, sipas mbrojtjes, rrëzon çdo pretendim për ndërhyrje apo ndikim në dëshmitë e tij.
Mbrojtja ka mohuar ekzistencën e asaj që Prokuroria e quan “Grupi Fazliu”, duke e cilësuar si një pretendim pa baza faktike. Ata theksojnë se nuk ekziston asnjë provë që tregon një marrëveshje apo plan të përbashkët për të ndikuar tek dëshmitari Rrustem Mustafa.
Po ashtu, mbrojtja argumenton se Fazliu nuk ishte i vetëdijshëm për ndonjë urdhër gjyqësor që ndalonte diskutimin e disa temave, pasi vendimet ishin në gjuhën angleze – një gjuhë që ai nuk e flet – dhe përkthimet në shqip janë publikuar vetëm në fillim të vitit 2024.
Sipas mbrojtjes, disa nga informacionet që Prokuroria pretendon se u ndanë gjatë vizitës së 2 korrikut 2023 ishin tashmë publike dhe të disponueshme për median dhe opinionin.
Mbrojtja e Fazliut shprehet e bindur se Gjykata Speciale do të vendosë mbi bazën e fakteve të besueshme dhe jo në spekulime, duke theksuar se presin që klienti i tyre të shpallet i pafajshëm.



