Incident i rëndë para Parlamentit në Beograd, Vuçiq paralajmëron fjalim urgjent

Një incident i rëndë ka ndodhur të mërkurën para ndërtesës së Parlamentit në Beograd, ku janë raportuar të shtëna me armë zjarri në një kamp tendash pro-qeveritare. Sipas pamjeve të publikuara në mediat serbe, disa tenda janë përfshirë nga flakët pas të shtënave.
Sipas raportimeve, një person ka mbetur i plagosur. Pamjet filmike tregojnë ndërhyrjen e policisë dhe një burrë që del nga një prej tendave të përfshira në zjarr. Deputetja e opozitës, Marinika Tepiq, nga Partia e Lirisë dhe Drejtësisë, ka reaguar në platformën X (ish-Twitter), duke deklaruar:
“Dikush qëlloi me armë zjarri dhe më pas u vuri flakën tendave.”
Agjencia e lajmeve FoNet raportoi se policia i kishte njoftuar shërbimet e emergjencës për një shpërthim të mundshëm të një bombole gazi pranë Parlamentit. Në vendngjarje, forcat e rendit gjetën një burrë me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit.
Autoritetet serbe ende nuk kanë dhënë një version zyrtar mbi shkakun e incidentit apo identitetin e të plagosurit. Sipas mediave vendase, oficerët e policisë që ndërhynë në vendngjarje dyshohet se i kanë bërtitur sulmuesit që të lëshonte armën.
Ndërkohë, Zyra e Presidentit serb ka njoftuar se Aleksandar Vuçiq do të mbajë një fjalim të jashtëzakonshëm për publikun në orën 13:00, në Pallatin e Serbisë.
Nga një aktivitet ku po merrte pjesë, Vuçiq e ka cilësuar ngjarjen si akt terrorist.
“Po flas si i pari dhe kërkoj ndjesë që do të më duhet të largohem nga ky takim i mrekullueshëm. Arsyeja është akti terrorist që ndodhi para Parlamentit serb, kështu që do të duhet të merrem me gjëra të tjera,” tha Presidenti i Serbisë.



