Rikthehet Superliga e Kosovës: Sot luhen dy ndeshjet e para të xhiros së nëntë

Pas një pushimi dyjavor për shkak të ndeshjeve të Kombëtares, Superliga e Kosovës në futboll rikthehet sot me dy duelet e para të javës së nëntë.
Në stadiumin me bari sintetik në Gjilan, skuadra e Dritës do të presë Malishevën, në një përballje ku vendasit kërkojnë të vazhdojnë formën e mirë pas fitores në derbin e qytetit ndaj Gjilanit. Nga ana tjetër, Malisheva udhëton në Gjilan pas humbjes në shtëpi ndaj Llapit dhe synon të rikthehet te rezultatet pozitive.
Ndeshja tjetër e ditës zhvillohet në Lipjan, ku Prishtina e Re pret Gjilanin në stadiumin “Sami Kelmendi”. Ky do të jetë debutimi i Debatik Currit në pankinën e Gjilanit, i cili synon të marrë fitoren e parë pas tri humbjeve radhazi të skuadrës. Prishtina e Re ndërkohë vjen në këtë sfidë pas barazimit me Dukagjinin.
Të dy ndeshjet nisin në orën 13:00.



